Silvio Berlusconi

Talenti i tallavasë italiane

15 Qershor 2023, 11:41| Përditesimi: 15 Qershor 2023, 11:43

  • Share

Ai ishte babai i krejt populistëve.  Ai ishte populisti që arriti të bëhej kryeministër i Italisë. Ai ishte mjeshtri i manipulimeve. Ai ishte autor i shumë sloganeve seksiste. Ai ishte përqafuesi më aktiv i autokratëve dhe diktatorëve të kësaj bote – prej Muamar al-Gadafit deri te Vladimir Putini. Ai ishte – Silvio Berlusconi.

I cili vdiq të hënën në moshën 86-vjeçare. Vdekja e tij nuk erdhi papritmas. Gjendja shëndetësore e Berlusconit ishte përkeqësuar mjaft muajve të fundit, pasi mjekët e diagnostikuan me kancer në gjak (leukemi). Këtë betejë Berlusconi nuk arriti ta fitojë, por shumë beteja të tjera ai jo vetëm që i fitoi, por edhe triumfoi. Sepse politikën e shihte si shou – dhe shumë italianëve u pëlqen shou, jo vetëm gjatë Festivalit të Këngës në San Remo.

*

Dy episode shqiptare: Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë, vajti në Romë për ta takuar Silvio Berlusconin. Kjo ka ndodhur para më shumë se 10 vjetëve. Italia përballej me numrin e madh të skafistëve shqiptarë që kontrabandonin njerëz. Shpesh varkat nuk arrinin në Itali dhe kufomat e shqiptarëve përfundonin në fund të detit. Edhe përballë kësaj tragjedie Silvio Berlusconi s’e pati problem të merrej me humor të zi. Tha se qeveria e tij ishte e gatshme të bënte një përjashtim nëse nga Shqipëria vijnë disa gra të bukura. Burrat dhe gratë e shëmtuara shqiptare, sipas kutit të Berlusconit, nuk janë të mirëseardhur në Itali, “gratë e bukura mund të qëndrojnë në Itali”, tha kavalieri i Italisë. Pastaj doli në fotografi me gazetare shqiptare dhe tha: “Dihet se unë jam singël”. Berlusconi sapo ishte ndarë nga gruaja e tij, Veronica Lario, njëra nga lidhjet e tij të shumta.

Episodi tjetër: “Unë dhe Saliu i përkasim të njëjtës familje popullore evropiane. Megjithëse ai ka vënë këtë kravatë të kuqe sot në takimin me mua. Dhe unë i dhurova gjashtë kravata nga të miat, blu, që të mos dalë në xhiro me një kravatë të kuqe. Pavarësisht se mund të them se i shkon shumë edhe kjo”.

*

Për të vdekurin vetëm fjalë të mira. Politikanët italianë, të pushtetit dhe të opozitës, shprehën ngushëllime për vdekjen e Berlusconit. Pak a shumë ngjashëm vepruan edhe shumë politikanë perëndimorë. Kryeministri i Shqipërisë e quajti Berlusconin “mik të Shqipërisë”, ish-kryeministri e quajti “mik të Shqipërisë”. Me gjasë ky është konstatimi i vetëm me të cilin pajtohen këta dy politikanë, por parë përtej patetikës së zakonshme shqiptare: a ishte Berlusconi vërtet mik i Shqipërisë? Ai ishte pa dyshim partner i rëndësishëm i Shqipërisë, si çdo kryeministër i Italisë. Mund të ketë pasur edhe ndonjë simpati, por më shumë momentale. Sidoqoftë, këto janë pyetje heretike kur Shqipëria ka një kryeministër që pa asnjë takt pothuajse e merr në krah kryeministren e Italisë dhe ia lag faqen me puthje. Politika si efekt dhe jo si përmbajtje.
*

Qarkullon një anekdotë: kur e kanë pyetur Silvio Berlusconin si është bërë i pasur, ai është përgjigjur: “Vetëm për milionin e parë mos më pyetni”. Pa dyshim ai u bë i pasur edhe falë talentit të tij prej biznesmeni, por edhe falë aftësisë së tij për akrobacione financiare, lidhje edhe me figura të dyshimta (edhe të mafisë), manipulime etj. Ai ishte ndër politikanët e parë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore që e kuptoi fuqinë e mediave masive, më saktë fuqinë e televizionit: andaj hyri në biznesin e mediave dhe u solli italianëve në dhoma të ditës disa gra me fustane të shkurtra dhe disa politikanë me mendje të shkurtër. Sigurisht ngjitjen e Berlusconit në skenën politike të Italisë e ndihmoi korrupsioni i klasës politike: shumë italianeve dhe italianëve u kishte ardhur te hunda qeverisja me dredhi e dinakëri. Kjo nuk ndryshoi as me Berlusconin, por së paku italianët mund të shikonin tani një kryeministër që përherë e kishte në majë të gjuhës një anekdotë, një shaka, një tallje, një polemikë përtej shijes së mirë.

*
Kundër tij u zhvilluan hetime dhe procese gjyqësore, shumica prej tyre dështuan – dhe Berlusconi u kthye si triumfues, pothuaj një Cezar i ringjallur romak, vetëm se jo me kalë, por me vetura të shtrenjta. Më 2013, megjithatë, u dënua në instancën e fundit për manipulim të tatimeve dhe u dënua me 4 vjet burg. Por politikanët me influencë nuk shkojnë në burg. Bersluconit iu falën tre vjet burg, një vit punoi si punëtor social në një azil të pleqve. Berlusconi duke ua servuar çajin e mëngjesit plakave të provincës italiane? Për fat të keq nuk ka fotografi që e dokumentojnë këtë, por imagjinata fluturon gjithandej.

*

Vladimir Putini, i cili ia kishte dhuruar Berlusconit 20 shishe vodkë për ditëlindje (sipas Belusconit), njoftoi se ndien “dhimbje të madhe” për vdekjen e ish-kryeministrit italian. Ata ishin miq. Dhe si mik i diktatorit rus, Berlusconi tha se Putinin e kanë shtyrë të fillojë luftën kundër Ukrainës. Nuk ishte deklarata e vetme absurde e Bersluconit sa i përket Rusisë së Putinit. Si politikan Berlusconi e ka karakterizuar dhe ndryshuar Italinë, por shpesh jo për të mirë. Kontributi i tij si populist shtrihet edhe në fushën linguistike: “bunga-bunga” – kështu i ka përshkruar Berlusconi disa ndeja, të cilat, sipas prokurorisë, më shumë ishin nxitje e prostitucionit me vajza të moshës jomadhore. Praktika e ndejave ishte kjo: pas darkës vajzat josheshin në “séparée”, ato ishin si të thuash desert erotik. Berlusconi ishte më shumë se politikan. Mbi të gjitha, ai ishte talenti i tallavasë italiane.

 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?