Pas ndërprerjes së gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit sot rinis Kampionati shqiptar i futbollit. Pavarësisht se ishte në pikëpyetje edhe dueli mes Bylisit dhe Tiranës do të luhet normalisht ashtu siç ishte planifikuar. Kjo për faktin se rezultatet e testeve të bëra nga ekipi i Bylisit dhe stafi kanë dalë negative. Dje u zbulua si pozitiv me koronavirus Eridon Qardaku i Bylisit dhe u ngrit alarmi edhe për ndeshjen e sotme. Futbollistët dhe stafi i mallakastriotëve iu nënshtruan testimit dhe fatmirësisht rezultatet dolën negative. Klubi i Bylisit sot ka njoftuar në rrjetet sociale:
“Analizat e bëra nga skuadra dhe stafi kanë rezultuar negative. Duke pritur që edhe testi i dytë i Qardakut të dal negativ ,me mendjen te Tirana dhe ndeshja e radhës” shkruhet në faqen në Facebook të klubit.
Edhe sipas asaj që parashikohet në protokoll nëse një lojtar del pozitiv izolohet ai dhe ndeshja luhet rregullisht sipas parashikimeve. Tirana kryesuese luan sot ndaj Bylisit duke kërkuar pikë për titullin ndërsa po në orën 17:00 do të luhen edhe ndeshjet Kukësi-Luftëtari,Flamurtari-Vllaznia, Laçi-Teuta ndërsa në orën 20:00 Partizani-Skënderbeu.