‘Tani duhet të kesh frikë...!’ si u zbulua nga përgjimet plani i 2 kamerunasve dhe zviceranes për të blerë prona luksoze me lekë falso në Shqipëri

13 Tetor 2022, 09:41| Përditesimi: 13 Tetor 2022, 14:25

  • Share

TIRANË- 1.2 mln euro false që solli nga Franca kamerunasi, Josoue Ngankam, dhe që u zbuluan nga policia në Rinas në shkurt të këtij viti, do të përdoreshin për të blerë një vilë në bregdet në Lezhë dhe një lokal në autostradën Tiranë-Durrës. Kjo ka dalë nga përgjimet e prokurorisë ndërmjet grupit të bashkëpunëtorëve, 2 kamerunasve Josoue Ngankam dhe Zinedine Nkeh si dhe zviceranes Jennifer Chollet, që janë zbardhur nga Report Tv.

40-vjeçarja, Jennifer Chollet, me kombësi zvicerane, në momentin e zbulimit të 270 mije euro false dhe lastrave, ka njoftuar bashkëpunëtorin e saj kamerunas Zinedine Nkeh, se tani duhet ‘të kenë frikë, pasi janë zbuluar’, mesazh ky i shkruar në gjuhën franceze. Pas këtij mesazhi, një nga anëtarët e grupit, Zinedine Nkeh, ka blerë biletë për tu arratistur Tiranë-Milano, por u arrestua në hyrje të hotelit.

Kamerunasi, ka pasur komunikime të vazhdueshme me shkrim dhe mesazhe zanore me zviceranen, si dhe kjo e fundit i ka dërguar edhe fotografinë e personit të arrestuar në Aeroportin e Rinasit, që ishte bashkëpunëtor i tyre. Jenny Chollet dhe Zinedine Nkeh kanë pasur edhe takime fizike, ku janë takuar tek bar kafe ”Flora”.

Nga përgjimet ka rezultuar se shtetasja zvicerane, i prezantonte dy kamerunasit si investitor strategjikë. Sakaq, Banka e Shqipërisë, i ka kthyer përgjigje hetuesve se lastrat ishin cilësi e lartë e falsifikimit me printer.

Josoue Ngankam nga Kamerunasi si dhe bashkëpunëtorët e tij Jeniffer Chollet nga Zvicra dhe Zinedine Nkeh nga Kameruni mund të vuajnë në Shqipëri nga 6 vite burg secili, pasi u gjetën fajtor për falsifikim parash dhe mashtrim nga hetimet e prokurorisë e cila ka dhënë dje pretencën. Prokurori Bledar Valikaj ka kërkuar dënim me nga 5 vite për çdo akuzë për secilin, dhe në bashkim dënimesh, të dënohen nga 9 vite dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar të vuajnë nga 6 vite burg.

53-vjeçarit nga Kameruni Josoua Ngankam, iu gjetën 1.2 milionë euro false në Rinas, ndërsa bashkëpunëtorët e tij u arrestuan disa ditë më pas. Zviceriania Chollet jetonte prej disa vitesh në vendin tonë dhe emri i saj si bashkëpunëtore është shfaqur pas marrjes së deklarimeve të Ngankam. Jennifer Chollet, përveç bashkëpunimit në shit-blerje të pronave që kishte krijuar në Tiranë, po ashtu kishte krijuar lidhje edhe me exchange. Ajo thotë se nuk është fajtore dhe nuk ka asnjë dijeni për ngjarjen e kapjes së parave false në Rinas.

Zinedine Nkeh, 45 vjeç, rezulton të ishte Toni, personi që Ngankam kishte deklaruar më herët se ishte shqiptari që i kishte dhënë çantën ku u gjetën paratë në Tiranë. Mësohet se Nkeh, që sipas burimeve nga policia ishte autor kryesor në sjelljen e parave false, i kishte dhënë një adresë të një hoteli më Laprakë ku do të takoheshin për të marrë çantën. Zinedine Nkeh kishte mbërritur në Shqipëri disa ditë para Ngangam me një linjë tranziti. Gjatë kontrollit në banesën e Chollet, 39-vjeçare, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, lastra dhe produkte të tjera që shërbejnë për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara.

279 mijë euro të printuara, të ndara në prerje 500, 200 dhe 100,  si dhe lastra prodhimi parash false me vlerë shumë më të madhe që gjithsej bëjnë rreth 1.2 mln euro, janë gjetur në valixhen që kishte me vete kamerunasi Josoue Ngankam, i cili vinte nga Parisi, me tranzit në aeroportin e Stambollit.

Kamerunasi Josoue Ngankam ka qenë dy herë në Shqipëpëri dhe luante rolin e korrierit. Pas ndalimit nga policia, kamerunasi tha se është nisur nga Franca me transit Stambollin drejt Tiranës dhe në aeroport do ta priste një bashkëkombës i tij me emrin Toni. Toni i ka dhënë valixhen në Francë dhe i ka thënë se kur të mbërrinte në Rinas duhet ta priste në një kafe brenda aeroportit.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?