Vladimir Putin

Bota

Tani të gjithë duan të bëjnë biznes me Rusinë, roli i ish-spiunit Matthias Warnig

4 Mars, 15:05| Përditesimi: 4 Mars, 15:11

  • Share

Në prill të dy viteve më parë, një dekret i firmosur nga Vladimir Putin sekuestroi asetet në Rusi të kompanive Danone dhe Carlsberg, duke ia kaluar administrimin një agjencie qeveritare.

Kontrolli i fabrikave të gjigantit francez të prodhimeve të qumështit, i cili kishte 10 mijë punonjës, iu besua një menaxheri të quajtur Yakub Zakriyev – merita e tij kryesore ishte fakti se ishte nipi i liderit çeçen, Ramzan Kadyrov. Veprime të tilla u dukën si fundi i marrëdhënieve tregtare midis Rusisë dhe Perëndimit për dekada me radhë.

Megjithatë, me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe bisedat e tij me Putinin, këto ngjarje duken papritur të shkuara. Dëshira për të bërë marrëveshje me kompanitë ruse apo për të hyrë në tregun rus, e cila nuk ishte zhdukur kurrë plotësisht në Perëndim, po shndërrohet sërish në një levë në duart e Kremlinit për të thyer izolimin e Moskës.

Nuk është rastësi që në samitin e parë zyrtar mes delegacioneve të SHBA-së dhe Rusisë, dy javë më parë, Putin zgjodhi të dërgonte edhe Kirill Dimitriev, drejtorin ekzekutiv të Fondit Sovran Rus për Investime të Drejtpërdrejta. Në një vizitë në Arabinë Saudite, Dimitriev foli menjëherë për "sipërmarrje të përbashkëta me partnerë amerikanë" për projekte në Rusi. Ky nuk është kontakti i tij i parë me Trump: sipas New York Times, Dimitriev, një besnik i Putinit, ishte ndër të parët që tentoi të kontaktonte me Trump pas fitores së tij të papritur në zgjedhjet e vitit 2016.

Dokumentet tregojnë se një vit më pas, ai ishte në Seychelles duke diskutuar me Erik Prince, i cili në atë kohë ishte një i dërguar i biznesit të Trumpit. Sot, Dimitriev duket se ka për detyrë të përfshijë biznesmenë amerikanë në projekte fitimprurëse në Rusi, sidomos në sektorin e burimeve natyrore. Në fakt, vetë Putin i ka ofruar Trumpit mundësinë e shfrytëzimit të mineraleve në Donbasin e pushtuar, duke synuar kështu që ta komprometojë SHBA-në dhe ta detyrojë të njohë territoret e aneksuara si ruse.

Kur sinjalet vijnë nga nivelet më të larta, nuk është për t’u habitur që edhe disa figura të vjetra po përpiqen të rigjejnë lidhjet e vjetra me Rusinë. Financial Times raportoi kohët e fundit se Matthias Warnig, ish-agjent i Stasit dhe mik personal i Putinit, po ndjek një plan për të rikthyer në funksionim gazsjellësin Nord Stream 2 mes Rusisë dhe Gjermanisë. Ai dyshohet se ka kontaktuar rrethin e Trumpit për të gjetur investitorë amerikanë me mbështetjen e administratës.

Nuk ka asnjë indikacion se një projekt i tillë po ecën përpara, por ngrohja e marrëdhënieve mes Putinit dhe Trumpit dhe mundësia e një armëpushimi në Ukrainë kanë rikthyer në skenë ata që nuk duan të ndërpresin marrëdhëniet me Moskën.

Në Itali, ministri i Mjedisit, Gilberto Pichetto Fratin, deklaroi për gazetën La Stampa se nuk e përjashton rikthimin e gazit rus: "Nëse arrihet një marrëveshje paqeje, atëherë gjithçka është e hapur", tha ai dhjetë ditë më parë. "Nga ana ekonomike, do të kishte padyshim një efekt pozitiv".

Nga ana tjetër, Komisioneri Europian për Energjinë, Dan Jørgensen, e kundërshton kategorikisht këtë ide. Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Eni-t, Claudio Descalzi, kujton se edhe nëse ndodh, hapësira e tregut për gazin rus në Itali do të ishte shumë më e vogël. Megjithatë, Gas Intensive, shoqata e prodhuesve me konsum të lartë energjie brenda Confindustria-s, nuk e ka braktisur kurrë këtë ide.

Në fakt, një numër i madh kompanish perëndimore nuk e kanë ndërprerë kurrë aktivitetin e tyre në Rusi. Sipas Kyiv School of Economics, gjatë tre viteve të fundit, 467 kompani e kanë lënë plotësisht vendin, por mbi 2,200 të tjera vazhdojnë të operojnë, përfshirë emra të mëdhenj si Philip Morris, PepsiCo, Raiffeisen Bank, Mars, Nestlé, Metro, Coca-Cola. Banka italiane UniCredit është në procesin e largimit, por gradualisht, pasi nuk e sheh të realizueshëm një tërheqje të menjëhershme, siç kërkon Banka Qendrore Europiane.

Po ashtu, disa kompani kanë rifilluar aktivitetin në Rusi në mënyrë të fshehtë. Një organizatë ukrainase pretendon, pa paraqitur prova të qarta, se disa prodhues qeramike në Emilia-Romagna importojnë kaolin nga territoret e pushtuara të Donbasit përmes rrugëve të ndërmjetme./Corriere Della Sera/ 

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 04/03/2025 15:26

    Perendimoret shikojne interesat e tyre perdorin vende si Ukraina dhe vendi jone mish per top dhe ata pasi ka mbaruar stuhia kthehen perseri dhe bejne biznes sikur nuk ka ndodhur asgje dhe shume mire bejne ,por problemi politikaneve tane eshte se futen si idiota ne mes duke krijuar armiqesi per hir te kapove perendimore edhe kur ata i rregullojne maredheniet me keto shtete ne mmbetemi gjithmone armiq me ta dhe kjo eshte fatekeqesi per kombin tone qe nuk kemi drejtues te shikoje vetem interesat e vendit dhe te asnje tjeteri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PD shpërblen aleatët me 8 mandate të sigurta, si e vlerësoni?