Së pari, Trump zbriti nga shkallët e Air Force One. Pas pak çastesh, edhe Putin zbriti nga shkallët e avionit të tij presidencial. Të dy ecën mbi tapetin e kuq, të shtruar nga ushtarët mbi pistën e bazës Elmendorf-Richardson (pamja e ushtarëve të gjunjëzuar në fund të shkallëve të avionit duke e vendosur tapetin ka zemëruar shumë ukrainas, sipas Sky News), deri në pikën ku u takuan. Trump, i mbërritur i pari, e priti Putinin duke e duartrokitur, ndërsa lideri rus afrohej.
Putin shfaqej me buzëqeshje, ndërsa edhe Trump qeshte. Dy liderët shtrënguan duart dhe shkëmbyen disa trokitje miqësore në shpatulla. Më pas, Trump bëri përshëndetjen ushtarake, ndërsa të dy ecnin së bashku drejt podiumit me mbishkrimin “Alaska2025”. Sipër tyre kaluan avionë ushtarakë – një bombardues B-2 dhe katër avionë luftarakë F-35. Të dy ishin të veshur me kostume të errëta; Trump mbante kravatën e tij karakteristike të kuqe, ndërsa Putin një kravatë bordeaux.
«President Putin, a do të ndaloni së vrari civilët?», bërtiti një nga gazetarët, por Putini ngriti shpatullat, duke bërë shenjë se nuk dëgjoi. Më pas, ata zbritën nga podiumi dhe, megjithëse makina presidenciale ruse ishte në pritje mbi pistë, të dy hipën me “Bishën” – automjetin presidencial amerikan.
«Trump është mjeshtër i marrëveshjeve. Ky është skenari i tij dhe kjo është marrëveshja e tij», tha me entuziazëm prezantuesi i rrjetit Real America’s Voice.
«Putini pushton territore, shkatërron qytete të tëra, vret, përdhunon, vjedh, rrëmben, torturon… dhe çfarë merr? Një tapet të kuq», deklaroi një ukrainas për Sky News./Corriere Della Sera
Komente
