Luka Modric prezantohet te Milani

Sport

'Tare më bindi të zgjidhja Milanin', prezantohet Luka Modric: Nuk dua të dëgjoj për 'vallëzimin e fundit'

5 Gusht, 12:19| Përditesimi: 5 Gusht, 12:22

  • Share

Luka Modric është prezantuar zyrtarisht si lojtari më i ri i Milanit, duke sjellë me vete përvojën e një legjende të futbollit evropian. Mesfushori kroat, pas një karriere të shkëlqyer me Real Madridin, ka zgjedhur të nisë një sfidë të re në Serie A.

Në fjalët e para si lojtar i Milanit, Modric ka treguar vendosmërinë dhe ambicien që e ka karakterizuar gjithmonë.

“Champions League është objektivi minimal. Dua të fitoj dhe të sjell këtë mentalitet në skuadër. Milani duhet të luftojë për trofe, prandaj jam këtu,” u shpreh ai.

I prezantuar me fanellën me numrin 14, Modric shoqëroi daljen e tij të parë para mediave me një mesazh të qartë për tifozët.

“E di që ka pritshmëri të mëdha për mua dhe mezi pres të filloj këtë sfidë. Në moshën time (39 vjeç) ka ende vend për emocion. Sapo kam përjetuar një lamtumirë të ndjerë me Realin, por ndjej se Milani është vendi i duhur për këtë kapitull të ri.

U rrita duke ndjekur futbollin italian. Kuqezinjtë ishin të preferuarit e mi për shkak të Bobanit, idhullit tim. Kam pasur gjithmonë një dashuri të veçantë për këto ngjyra", tha Modric.

Më pas ai zbuloi se ishte takimi me Igli Taren që vendosi për të ardhmen e tij, ndërsa nuk do të dëgjojë për "vallëzimin e fundit".

"Ishte një vendim i lehtë për mua. Kur Tare erdhi në Kroaci, ai më bëri të kuptoj se sa shumë kujdesej Milani për mua. Ishte pika e kthesës në negociata, sepse kur dikush vjen dhe dëshiron të të blejë, duhet të të shpjegojë projektin e tij dhe kjo është ajo që bënë. Kërkova kohë për të folur me familjen time, por thellë-thellë e dija se ishte zgjedhja e duhur. Oferta mbërriti menjëherë pas ndeshjes së fundit me Real Madridit, nuk mendoja se do të ndodhte kaq shpejt.

Sezon dhe 'vallëzim i fundit'? Nuk e di, është shumë herët për ta thënë. Qëllimi im është të luaj në Kupën e Botës me Kroacinë, por ndërkohë duhet të kualifikohemi. Nuk po shoh shumë larg, po përpiqem të qëndroj dhe të jetoj në të tashmen, duke i bërë gjërat mirë sot pa u nxituar", tha Luka.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha i quajti vrasje shtetërore pa dashje ato të 21 janarit, ju si i konsideroni?