Sociale

Tarifa ‘Trump’ mbjell frikë tek grumbulluesit në Kukës, sherebela mbetet stok në magazina! Çmimi zbret nën kosto

6 Prill, 16:13| Përditesimi: 6 Prill, 16:18

  • Share

Mes pasigurisë dhe frikës së madhe që ka shkaktuar vendosja e tarifave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kultivuesit dhe grumbulluesit e bimëve mjekësore në Kukës i kanë kthyer sytë nga shteti, në pritje të një mbështetjeje financiare.

“Shpresojmë se Ministria e Bujqësisë dhe qeveria të marrin vendim për mbrojtjen e fermerëve shqiptar me subvencione për të mos i humbur shpresat për kultivimin e bimëve, që të kemi sigurinë e tregut”, tha Gazmend Koldashi, grumbullues.

Sot nga buxheti i shtetit jepet si subvencion 30 mijë lekë për hektar për fermerët që merren me bimët medicinale. Por në kushtet kur vështirësia e një sektori tanimë përtej goditjes nga zhvlerësimi i valutave, rënies së çmimit për bimët apo malli stok ka kapërcyer në një kosto ekstra, frika e falimentit dominon.

“Kultivuesi shqiptar i ka humbur shpresat për ta grumbulluar në bjeshkët e fushat e vendit tonë. Shkon drejt falimentimit tek kultivuesit e deri tek grumbulluesit e vegjël deri tek të mëdhenjtë”, pohon grumbulluesi.

Kultivuesit i tremben një ulje tjetër të çmimit, pasi grumbulluesit do ta blejnë produktin me çmim më të lirë për shkak të taksës 10 për qind.

“Çmimi i sherebelës ka qenë 150 lekë/kg sot ka rënë në 80 lekë/kg dhe tarifat e SHBA është një goditje e dytë për bimët medicinale. Goditja vjen nga taksa, pasi një produkt që është sot në treg me 80 lekë, direkt do të zbresë në 72 lekë”, tha grumbulluesi.

Teksa na tregon produktet e mbetura stok, fermeri Koldashi thotë se interesi për bimën ‘Made in Albania’ mund të zbehet pasi konkurrentët i kanë çmimet më të ulta.

“Këtu ka pësuar një goditje të dytë industria e bimëve medicinale në Shqipëri. Ka pasur rënie të tregut dhe rritje  të stoqeve që ka pasur Shqipëria të të gjitha produktet si sherbela, boronica, dëllinja e të gjitha bimët që vjelën në qarkun e Kukësit. Ne konkurrohemi edhe nga Turqia që ka çmime më të ulta se ka prodhim më të madh dhe kosto më të ulta. Në këtë mënyrë edhe tregu amerikan dhe evropian do të orientohet drejt tregjeve me çmime më të lira”, tha grumbulluesi Koldashi.

Agjencia e Eksencionit Bujqësor bën te ditur se në qarkun e Kukësit janë 20 fermerë që kane kultivuar 11 hektarë me sherebele. Po kështu në Tropojë 7 dynym me mjedër. Përpos bimëve të kultivuara, qarku i Kukësit është tejet i pasur me bimë medicinale që rritën në mal në gjendje të egër ku punojnë në mënyre sezonale 1 mijë banorë. Në vitin 2024 nga qarku i Kukësit janë eksportuar rreth 200 ton bimë të egra medicinale e aromatike.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë se si duhet të votoni më 11 maj?