“Marrëveshje në ditët në vijim”. Kjo frazë përsëritet si një mantrë nga të gjithë përfaqësuesit e BE-së që po negociojnë me SHBA-në për çështjen e tarifave doganore. Nga Ursula von der Leyen te Sefcovic, fjala kyçe është optimizmi. Por në mënyrë konfidenciale, “negociatorët” pranojnë se pavarësisht shumë lëshimeve të bëra ndaj Uashingtonit, në të vërtetë europianët “po ecin në terr”.
Nga sektori i automobilëve te bujqësia, nga farmaceutika te çeliku, në praktikë Bashkimi Europian ende nuk e ka kuptuar se cilat janë qëllimet reale të Donald Trump. “Ai do para”, është shprehur pa dashje komisioneri për Tregtinë, duke iu përgjigjur një eurodeputeti dje pas daljes nga salla e Parlamentit Europian. Dhe në fakt, 300 miliardë dollarët e parashikuar nga Thesari amerikan si të ardhura nga tarifat e reja, konsiderohen jetike për të riformatuar buxhetin amerikan.
Ndërkohë që presidenti amerikan ka dërguar letra “paralajmëruese” për edhe shtatë vende të tjera (ndëshkim me 50% për Brazilin), Kontinenti i Vjetër shpreson të arrijë gjithsesi një marrëveshje. Edhe nëse marrëveshja do të jetë më e keqe se ajo që SHBA ka firmosur me Mbretërinë e Bashkuar (ku tarifat për Londrën mund të jenë më të ulëta se për Brukselin), brenda BE-së po mbizotëron linja gjermane, sipas së cilës është më mirë një marrëveshje e keqe se sa asnjë marrëveshje. Sepse në mungesë të një kornize të qëndrueshme, situata pritet të përkeqësohet. Vetëm në rast se kushtet e vendosura nga Trump janë vërtet të papërballueshme – për shembull tarifa mbi 10 për qind për makinat dhe bujqësinë – atëherë vetëm në atë rast Europa do të detyrohet të thotë jo. Edhe pse dihet që në disa sektorë ajo përqindje do të tejkalohet. Ndërkohë, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, “emisarët” komunitarë po marrin edhe sondazhe për mënyrat se si Europa mund të marrë pjesë në blerjen e borxhit publik amerikan.
Dje, Sefcovic foli sërish në telefon me përfaqësuesin amerikan Greer për të orientuar dialogun dhe për të marrë disa hollësi të tjera. Duke ditur se tashmë afati është bërë 1 gushti dhe se për momentin Trump nuk ka ndërmend të dërgojë letrën e tij në Bruksel.
“Që nga shkurti – kujtoi dje presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen – Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa për 70% të gjithë tregtisë që BE zhvillon me to. Do të jemi të palëkundur, por preferojmë një zgjidhje të negociuar” dhe njëkohësisht “po përgatitemi për të gjitha skenarët”. Komisioneri për Tregtinë vlerëson se “njëfarë shkalle e balancimit do të vazhdojë” dhe se kuadri rregullator europian nuk do të vihet në diskutim, pra ligjet e BE-së nuk do të ndryshohen sipas kërkesave të Trump.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka shprehur një “optimizëm të kujdesshëm” duke shtyrë afatin për marrëveshjen deri në fund të muajit: “Qëllimi ynë është të arrijmë një marrëveshje me tarifa sa më të ulëta dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk është e lehtë për t’u arritur për shkak të kërkesave aktuale të qeverisë amerikane”. Kërkesa që mbeten, në fakt, mjaft të larta, pavarësisht “ndërmjetësimit” të sekretarit amerikan të Thesarit, i cili ka bindur presidentin që të shtyjë hyrjen në fuqi të tarifave të reja për muajin tjetër.
Ndër kërkesat e shumta që BE ka pranuar dhe që janë vlerësuar shumë nga Uashingtoni është edhe reforma e “stablecoin”-eve, kriptomonedhave që mund të kenë një qarkullim të lehtësuar në Europë. Një instrument në të cilin Trump ka investuar dhe do të vazhdojë të investojë shumë në vitet në vijim. Europa është e bindur se mund të ofrojë shumë lëshime ndaj aleatit përtej Atlantikut, sepse sipas studimeve të bëra nga Komisioni, të paktën 75% e humbjeve në eksport drejt SHBA-ve pritet të rikuperohen përmes marrëveshjeve tregtare me Mercosur-in, Indinë dhe Kinën. Dhe në fakt, në fund të muajit, një delegacion i BE-së, i kryesuar nga von der Leyen dhe Costa, do të udhëtojë drejt Pekinit për t’u takuar me Xi Jinping./La Repubblica
Komente
