Të enjten, Donald Trump firmosi urdhrin ekzekutiv që vendos tarifa të reja reciproke prej 15% mbi importet nga 90 vende, duke përfshirë edhe Bashkimin Europian. Megjithatë, marrëveshja e arritur në Skoci me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nuk ka zgjidhur disa çështje thelbësore, ndaj negociatat vazhdojnë.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi në mesnatën e 7 gushtit, një javë pas afatit fillestar të caktuar nga Trump, i cili kishte kërcënuar me rritjen e tarifës mbi mallrat europiane deri në 30% nëse nuk arrihej një marrëveshje tregtare. Ky shtyrje i jep kohë doganave amerikane të organizohen. Tarifa 15% do të zbatohet për qindra kategori mallrash, por për momentin përjashtohen sektorë të rëndësishëm si çeliku, alumini, automobilat dhe barnat, sipas Shtëpisë së Bardhë. Ende ka pasiguri për produktet strategjike që mund të përfitojnë nga përjashtime.
Formula e re e tarifave dhe përjashtimi për mallrat në transport
Sipas urdhrit ekzekutiv, çdo produkt europian që aktualisht paguan një tarifë më të ulët se 15% në SHBA do t’i shtohet një tarifë shtesë për ta çuar në këtë nivel. Nëse një mall tashmë paguan 15% ose më shumë, tarifa nuk ndryshon. Kjo formulë, që synon të “balancojë” kushtet e aksesit në tregun amerikan, është përfshirë në sistemin tarifor amerikan (HTSUS) përmes dy kodeve të rinj doganorë:
9903.02.20 për mallrat nën pragun 15% (ku aplikohet tarifa shtesë)
9903.02.19 për mallrat mbi prag (ku tarifa mbetet e pandryshuar).
Mallrat europiane që janë ngarkuar në anije para 7 gushtit dhe do të zhdoganohen deri më 5 tetor do të trajtohen sipas tarifës së vjetër.
Automjetet mbeten me tarifën 27,5%
Tarifa e re 15% nuk aplikohet për makinat dhe pjesët e tyre, sektorë kyç për ekonominë europiane, të cilët mbeten nën rregulloren ekzistuese të Seksionit 232. Automjetet e importuara nga Europa vazhdojnë të paguajnë 27,5% (kombinim i 2,5% tarifë bazë dhe 25% shtesë sipas Seksionit 232).
Tarifat për çelikun dhe aluminin europian mbeten 50%, me të njëjtën shkallë që do të zbatohet për bakrin nga 7 gushti, për të nxitur prodhimin vendas. BE dhe SHBA kanë rënë dakord që këto tarifa të zëvendësohen me një sistem kuotash, detajet e të cilit mbeten për t’u negociuar.
Hetimi për barnat dhe çështja e avionëve
Shtëpia e Bardhë deklaron se barnat dhe mikroçipet europiane do t’i nënshtrohen tarifës 15%. Komisioni Europian, megjithatë, thotë se kjo do të ndodhë vetëm pas përfundimit të hetimeve amerikane sipas Seksionit 232 dhe përcaktimit të shkallëve të reja tarifore globale. Sipas BE-së, tarifa maksimale do të jetë 15%, ndërsa aktualisht ato paguajnë tarifa të ulëta ose zero.
Avionët dhe pjesët e tyre, sipas zyrtarëve europianë, duhet të përfitojnë nga formula “zero për zero”, njësoj si disa produkte kimike, barnat gjenerike, pajisjet për prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe disa produkte bujqësore, me përjashtim të atyre të ndjeshme si mishi i viçit, orizi, etanoli, sheqeri, mishi i pulës dhe lëndët e para kritike. Lista e produkteve të përjashtuara mund të zgjerohet.
Produkte bujqësore: fitues dhe humbës
Ndër produktet bujqësore dhe ushqimore europiane të eksportuara në SHBA, që nga 7 gushti do të taksohen njëtrajtësisht me 15%, ka fitues dhe humbës.
Parmigiano Reggiano deri tani paguante 25% (15% tarifë e vjetër dhe 10% shtesë nga prilli i kaluar). Me tarifën e re 15%, kjo kategori përfiton një ulje, duke përmirësuar pozicionin në tregun amerikan, ku zë 22,5% të eksporteve me mbi 16 mijë ton të shitur në vitin 2024 (+13,4%).
Pecorino Romano, shumë i preferuar nga amerikanët dhe që deri më sot ka gëzuar përjashtim total, tani do të taksohet me 15%./ Corriere della Sera
Komente
