Flamujt e BE dhe SHBA

Bota

Tarifat doganore, lëvizja e SHBA-së: Propozimi për shtyrje dhe kushtet! Franca dhe Gjermania të ndara

27 Qershor, 07:09| Përditesimi: 27 Qershor, 10:06

  • Share

“Nëse keni ende nevojë për kohë, mund të mendojmë për zgjatjen e pezullimit”. Ky ishte propozimi i fundit që Shtetet e Bashkuara i transmetuan Evropës për të arritur një marrëveshje mbi tarifat doganore, pikërisht në ditën kur Donald Trump njoftoi fitimet për SHBA falë tarifave: “Kemi arkëtuar 88 miliardë”, deklaroi ai, duke shtuar, pa dhënë detaje, se kishte arritur edhe një marrëveshje tregtare me Kinën. “Dhe India mund të jetë e radhës”.

Situata me Evropën është më e ndërlikuar. Letra e dërguar dje nga Uashingtoni në Bruksel mbërriti me një sqarim shtesë: mendohuni mirë, 9 korriku nuk është një datë përfundimtare për vendosjen e tarifave të rënda të shpallura nga Trump në prill. “Ndoshta — konfirmoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt — afati i korrikut mund të shtyhet, por vendimi i takon presidentit”. Sipas Komisionit Evropian, dokumenti synon të përshkruajë “një marrëveshje të përkohshme” midis palëve.

Por çështja kryesore, për të cilën diskutuan edhe liderët mbrëmjen e djeshme në darkën përmbyllëse të Këshillit Evropian, është se kundërpropozimi amerikan përmban shumë elementë që rrezikojnë të vënë në vështirësi ekonominë e Eurozonës. Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic, kishte propozuar më herët një tarifë lineare prej 10 për qind. Por në kontaktet informale, SHBA kishte sinjalizuar se kjo përqindje do të ishte e pranueshme vetëm nëse do të ishte “asimetrike”, që do të thotë: barra tatimore totale do të ishte më e ulët për SHBA. Kështu, BE nuk do të përfshinte sektorin e shërbimeve, ku SHBA ka suficit, ndërsa për mallrat, për shkak të eksportit më të madh evropian, Evropa do të paguante më shumë.

Presidenti amerikan nuk kërkon kompromise. Përkundrazi, në letrën e dërguar dje në selinë e Komisionit në Berlaymont, e cila vjen pas marrëveshjes për rritjen e shpenzimeve ushtarake në NATO, jo vetëm që konfirmohet 10 për qind “asimetrik”, por parashikohen edhe tarifa më të larta për produkte të tjera. Për më tepër, kursi euro-dollar që po favorizon valutën evropiane, shton vështirësitë për kompanitë eksportuese në SHBA.

Pyetja që ngriti presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ishte jo vetëm për përgjigjen ndaj “mikun amerikan”, por edhe për gatishmërinë e 27 vendeve anëtare për të rrezikuar dhe për të shqyrtuar mundësinë e mosarritjes së një marrëveshjeje. Në këtë pikë, ndarjet brenda BE dolën në pah me qartësi të madhe: nga njëra anë Franca dhe nga ana tjetër Gjermania.

Presidenti francez Emmanuel Macron është i bindur se nuk mund të pranohet propozimi amerikan. Për të, tarifa 10 për qind është e arsyeshme vetëm nëse shoqërohet me masa kompensuese për eksportet evropiane. Veçanërisht sepse në paketën amerikane përfshihen të paktën dy klauzola që e shtyjnë balancën akoma më shumë në favor të SHBA: blerja e shtuar e gazit të lëngshëm amerikan dhe e armëve të prodhuara në SHBA. Ky i fundit është një element që tashmë është përfshirë në mënyrë të tërthortë në marrëveshjen e NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së. Kombinimi i të gjitha këtyre, sipas Francës, është i papranueshëm. Dhe komisioneri francez për Çështjet e Brendshme, Stéphane Séjourné, ishte i prerë: “Një gjë është e sigurt: na duhet një marrëveshje e balancuar, që të mbrojë interesat e industrisë sonë evropiane dhe të jetë pozitive për ekonominë tonë. Po punojmë shumë, pavarësisht shumë iracionalitetit në anën tjetër të Atlantikut”.

Gjithçka ndryshe nga pala gjermane. Gjermania shtyn për një marrëveshje të shpejtë, pothuajse me çdo kusht. “Mbështes Komisionin në të gjitha përpjekjet e tij — theksoi kancelari gjerman Friedrich Merz — për të arritur sa më shpejt një marrëveshje tregtare me SHBA. Dua që të çojmë përpara edhe marrëveshjen me Mercosur dhe të përfundojmë të tjera marrëveshje tregtare. Evropën e presin javë dhe muaj vendimtarë”.

Edhe Italia synon një marrëveshje në afat të shkurtër. Qeveria Meloni nuk dëshiron përplasje me Trump-in. Një nga zgjidhjet e mundshme është përcaktimi në korrik i një platforme për parimet e përgjithshme, për të hyrë në detaje më vonë. Duke shfrytëzuar kështu zgjatjen e mëtejshme të pezullimit të tarifave të “vjetra”. Por loja ende nuk ka përfunduar. Dhe mundësia për ta shtyrë gjithçka në shtator nuk është vetëm teorike./La Repubblica

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?