Sekretari i Thesarit të SHBA, Scott Bessent

Bota

Tarifat doganore, marrëveshje paraprake midis Uashingtonit dhe Pekinit! Gjykata e Apelit i lë në fuqi

11 Qershor, 07:57| Përditesimi: 11 Qershor, 08:06

  • Share

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur një marrëveshje paraprake për çështjen e tarifave doganore. Një Gjykatë Federale e Apelit ka pranuar kërkesën e administratës Trump për të mbajtur në fuqi, të paktën për momentin, tarifat doganore të vendosura nga presidenti.

Pas gati 12 orësh bisedimesh, dy superfuqitë duket se kanë përmirësuar “mini-armëpushimin” e muajit të kaluar në Gjenevë. “Kemi një marrëveshje paraprake që duhet të zgjidhë çështjen e mineraleve të rralla,” deklaruan dje, në orët e vona të natës, jashtë rezidencës Lancaster House në Londër, sekretari amerikan i Tregtisë Howard Lutnick dhe i dërguari Jamieson Greer. “Tani do t’ia paraqesim gjithçka presidentit Trump, dhe e njëjta gjë do të bëjnë edhe kinezët me liderin e tyre Xi. Më pas do të mund ta zbatojmë marrëveshjen. Telefonata e fundit mes dy presidentëve ishte vendimtare.” Edhe Pekini reagoi pozitivisht përmes zëvendëspresidentit He Lifeng: “Tani shpresojmë që besimi mes dy vendeve të rritet.”

Pak orë më vonë, Gjykata e Apelit vendosi të zgjasë pezullimin e përkohshëm të një vendimi të mëparshëm të gjykatës tregtare, e cila kishte konkluduar se Trump konkludoi tejkaluar kompetencat e tij kur vendosi tarifat. E njëjta Gjykatë njoftoi se do të dëgjojë argumentet më 31 korrik. Deri atëherë, me shumë gjasë, tarifat do të mbeten në fuqi.

Nuk janë bërë ende të qarta detajet e kësaj marrëveshjeje paraprake mes Uashingtonit dhe Pekinit, pas asaj të Gjenevës disa javë më parë. Pikërisht atëherë, të dyja palët ranë dakord të reduktonin ndjeshëm tarifat e larta të vendosura nga Trump dhe të pasuara nga Xi, të cilat arritën deri në 145%, duke premtuar të arrinin një marrëveshje më të gjerë brenda 90 ditëve për të shmangur një luftë tregtare që mund të ngadalësonte ekonominë globale.

William Reinsch, ekspert tregtie në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), deklaroi për Reuters: “Sipas meje, Trump është shumë i etur që ekipi i tij të kthehet me diçka që mund të paraqitet si sukses, ndërsa kinezët po rezistojnë. Megjithatë, mund të vini bast që ai do ta shpallë marrëveshjen si një sukses të madh, pa marrë parasysh përmbajtjen e saj.”

Sipas deklaratave të Lutnick dhe delegatëve kinezë, duket se është arritur të paktën një kompromis për çështjen e mineraleve të rralla, të domosdoshme për ekonominë amerikane, dhe për gjysmëpërçuesit që i nevojiten Kinës. Kina kontrollon thuajse monopolin global të mineraleve të rralla, përbërës thelbësorë për motorët e automjeteve elektrike, ndër të tjera. Vendimi i saj në prill për të pezulluar eksportin e një game të gjerë mineralesh dhe magnetësh ka trazuar zinxhirët globalë të furnizimit.

Në maj, SHBA reaguan duke ndaluar dërgimin e softuerëve për projektimin e gjysmëpërçuesve, substancave kimike për industrinë elektronike dhe pajisjeve aeronautike. Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett, deklaroi se pret një lehtësim të ndërsjellë të masave kufizuese. Megjithatë, kjo nuk do të zbatohet për produktet “më të avancuara të Nvidia-s”, pra çipet për inteligjencën artificiale më të sofistikuar të kompanisë, dërgimi i të cilave drejt Kinës është ndaluar për shkak të frikës së përdorimeve të mundshme ushtarake.

Deri tani, tarifat e vendosura nga Trump kanë tronditur tregjet globale, kanë krijuar kaos në porte dhe i kanë kushtuar kompanive dhjetëra miliarda dollarë në shitje të humbura dhe kosto shtesë. Dje, Banka Botërore uli parashikimet për rritjen ekonomike globale për vitin 2025 me 0.4 pikë përqindjeje, duke e çuar në 2.3%: “Tarifat më të larta dhe pasiguria më e madhe globale përbëjnë një pengesë të ndjeshme për thuajse të gjitha ekonomitë”.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjithashtu në Londër, u kthye me urgjencë në SHBA pasi sot pritet të dëshmojë në Kongres. Sipas Bloomberg, Trump mund ta zgjedhë atë si kreun e ardhshëm të Rezervës Federale në vend të Jerome Powell./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?