Giorgia Meloni dhe Donald Trump

Bota

Tarifat doganore, Meloni dhe Macron thirrje Trumpit: Një luftë mes nesh nuk ka kuptim

26 Qershor, 07:05| Përditesimi: 26 Qershor, 07:13

  • Share

“Nuk jemi armiku, Donald”. Ia thonë në sy, edhe pse të mbrojtur nga salla e blinduar e samitit në Hagë. Duke folur për tarifat doganore, ekspozohen Giorgia Meloni, Emmanuel Macron dhe Recep Tayyip Erdogan. Secili në mënyrën e vet, të gjithë pa e prishur atmosferën. Të paktën këtu. Nga ana tjetër, Donald Trump nuk mund të përsërisë shfaqjet që i pëlqen t’i bëjë përpara gazetarëve, duke poshtëruar bashkëbiseduesit. Përdorin takt, sjellje të hijshme, parathënie që përkëdhelin: por në një mënyrë a tjetër ekspozohen. Me koncepte që përsëriten. “Zoti President – shprehet francezi, më pas edhe kryeministrja – një luftë tregtare mes aleatësh nuk ka kuptim”. Sidomos kur po këta aleatë premtojnë miliarda, shumë miliarda, për mbrojtjen e përbashkët. Manjati dëgjon, herë pas here shfryn, por në fund: mund të kishte shkuar më keq. E konsideron samitin si një triumf, dhe për një herë, përmbahet.

I pari që del hapur është, siç u tha, Macron. Dhe, sipas burimeve të përbashkëta, shprehet pa doreza: “Një luftë tregtare – është thelbi i fjalëve të tij – është në kundërshtim me përpjekjet ushtarake për të cilat jemi angazhuar”. Përpjekje që, shton ai, janë kërkuar i pari nga vetë Trump. Prandaj, nuk duhet t’i shtypim partnerët. “Mes aleatësh – deklaron më pas – është shumë e rëndësishme të rikthehemi në një paqe të vërtetë tregtare dhe të ulim të gjitha barrierat doganore të ngritura”.

Por ajo që i befason disa kancelari është sidomos ndërhyrja e Melonit, në një vijë të njëjtë me Macron. Kryeministrja fillimisht i zgjat dorën Presidentit amerikan, duke shpjeguar se Roma është gati të mbështesë premtimet për shpenzimet ushtarake të përfshira në dokument. Ajo nënvizon fleksibilitetin dhe “rishikimin” e objektivave në vitin 2029. Por në një moment, fjala i kthehet tarifave. Dhe liderja i kujton Trump-it se barrierat doganore i shërbejnë kundërshtarëve. Shpenzimet në nivelin 5% për mbrojtjen dhe çështja e tarifave, është thelbi i fjalëve të saj, “përbëjnë një paketë të vetme”. Madje: janë “dy anët e së njëjtës medalje”. Për këtë arsye, duhet gjetur një marrëveshje, duke shmangur “luftërat tregtare mes nesh”. “Armiku është tjetër. Me siguri nuk është Perëndimi apo Europa”. Edhe Erdogan i bashkohet presionit. Kërkon një rishqyrtim, paralajmëron për gabime potencialisht fatale. Që Trump ta ketë kuptuar me të vërtetë mesazhin, mbetet për t’u parë. Por që ai ka qëndruar i ulur për të ndjekur të gjithë sesionin e punimeve – më shumë se tre orë – është e vërtetë. Dhe kjo është një lajm për europianët.

Çështja e tarifave doganore zbret sot në tryezën e Këshillit Europian. Macron, i cili synon të bëhet figurë udhëheqëse e kësaj beteje javët në vijim, ka ndërmend ta rikthejë problemin, duke treguar pengesën: Donald Trump. Tensioni, në fakt, është shumë i lartë: pak kush beson në një marrëveshje mes SHBA-së dhe BE-së përpara datës 9 korrik, kur skadon pezullimi i masave. Edhe Ursula von der Leyen është në alarm, sepse nuk mungojnë kritikat ndaj mënyrës së saj të menaxhimit. Si ato të kancelarit gjerman Friedrich Merz, që e ka akuzuar për mungesë krijimtarie dhe teprim burokratik në qasjen e saj ndaj manjatit. Meloni do të mbetet më e kujdesshme, për të ruajtur marrëdhënien me Uashingtonin. Por pikëtakimet me Macron për çështje të ndryshme po shtohen (thuajse për shkak të forcës së rrethanave). Ajo që është e sigurt, është se kryeministrja e ka ftuar atë në Romë për konferencën mbi rindërtimin e Ukrainës, në korrik. Për habi, Presidenti francez mund të thotë po./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    NATO miraton rritjen e shpenzimeve me 5% për mbrojtjen, si e vlerësoni?