Orët në vijim do të jenë vendimtare. Një delegacion i kryesuar nga komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic, po përgatitet të diskutojë dosjen për tarifat në Uashington me një paketë propozimesh. Një sërë takimesh dhe bisedimesh të domosdoshme për të testuar gatishmërinë e administratës Trump për të pranuar një marrëveshje tregtare përpara afatit të 9 korrikut, kur qeveria amerikane do të vendosë një taksë prej 50% mbi pjesën më të madhe të produkteve që vijnë nga vendet e Kontinentit të Vjetër.
Një skenar përballë të cilit Brukselit nuk do t’i mbetej gjë tjetër veçse të miratonte një paketë kundërmasash. Në prag të negociatës së besuar Šefcovic-it dhe homologëve të tij amerikanë, klima është ajo e një optimizmi të kujdesshëm. Delegacioni ka nisur udhëtimin për në Uashington me objektivin për të gjetur një zgjidhje që të jetë reciprokisht e favorshme dhe që të shmangë vendosjen e barrierave të rënda tregtare, me gjithë një përshkallëzim që do t’i bënte keq të gjithëve.
Këtë e konfirmojnë edhe fjalët e vetë Šefcovic-it: “Jemi absolutisht të përqendruar në një rezultat pozitiv. Kemi marrë draftet e para të propozimeve për një marrëveshje të mundshme parimore mbi të cilën po punojmë”, shpjegoi ai pak para se të nisej nga Brukseli, duke shtuar: “Mund të them vetëm që duam të arrijmë maksimumin e mundshëm, diçka që të jetë e drejtë për të dyja palët”.
Mandati i Komisionerit të BE-së për Tregtinë është të punojë për një kompromis duke u nisur nga drafti i dërguar nga Shtetet e Bashkuara, dhe që konsiderohet si baza e punës për negociatat tregtare në prag të 9 korrikut. Dokumenti i dërguar nga Uashingtoni është ai që u bë publik me rastin e Këshillit të fundit Europian nga presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, një tekst që negociatorët shpresojnë ta kthejnë në një marrëveshje parimore për arritjen e një kompromisi të parë si për tarifat, ashtu edhe për tema të tjera strategjike.
Tarifa universale prej 10% mbi eksportet drejt SHBA-së
Askush nuk është i gatshëm të shprehet me siguri, por fusha brenda së cilës diplomacia e Brukselit është e gatshme të negociojë përfshin një marrëveshje tregtare me një tarifë universale prej 10% mbi eksportet e vendeve të BE-së drejt Shteteve të Bashkuara, një marrëveshje që do të kishte si kundërpeshë angazhimin e administratës Trump për të ulur normat doganore mbi sektorë strategjikë si farmaceutika apo produkte dhe mallra si alkooli, gjysmëpërçuesit dhe avionët komercialë.
BE-ja synon gjithashtu të marrë nga Uashingtoni një reduktim ose heqje të plotë të barrierave tarifore sektoriale që janë tashmë në fuqi (si tarifat 25% mbi makinat dhe pjesët e këmbimit për to, apo ato 50% mbi çelikun dhe aluminin). Ndër masat e ndara paraprakisht nga Šefcovic me ministrin e Jashtëm Antonio Tajani, si dhe me ministrat e tjerë të Jashtëm të vendeve anëtare, përfshihet gatishmëria e Brukselit për të përgatitur në favor të Uashingtonit si thjeshtimin e rregulloreve evropiane, ashtu edhe heqjen e barrierave të brendshme në tregun evropian.
Kanadaja ka vendosur të heqë taksën dixhitale
Ndërkohë, Kanadaja ka vendosur të heqë taksën dixhitale që do të godiste gjigantët e teknologjisë “Made in USA”. Trump, në fakt, kishte ndërprerë bisedimet tregtare të premten e kaluar në përgjigje të kësaj takse, duke kërcënuar me tarifa të reja mbi produktet kanadeze. Heqja e taksës në orët e fundit ka bërë që Uashingtoni të rihapë menjëherë negociatat me Otavën./Corriere della sera
Komente
