Marrëveshja "skoceze" mes Donald Trump dhe Ursula von der Leyen ka shkaktuar reagime të ndryshme, e në disa raste të kundërta, mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë, siç deklaroi një ditë më parë Komisioneri për Tregtinë, Maroš Šefčovič, përfaqësuesit e 27 shteteve kanë qenë në kontakt të ngushtë me presidenten e Komisionit përpara dhe pas takimit me presidentin amerikan. Në Bruksel, ndërkohë, po kalohen ditë të ngarkuara. Zyrtarët e Komisionit janë duke negociuar me amerikanët për të zyrtarizuar marrëveshjen deri më 1 gusht. Por paralelisht, ata duhet të marrin në konsideratë kërkesat që vijnë nga kryeqytetet evropiane dhe të përpiqen të pajtojnë qëndrimet e ndryshme.
Irlanda mbështet marrëveshjen, për të ruajtur lidhjet me gjigantët amerikanë të teknologjisë
Nga Dublini vjen mbështetja më e fortë për veprimet e Komisionit Evropian. Edhe pse Irlanda është vendi më i ekspozuar ndaj tarifave të reja doganore, pasi në raport me madhësinë e saj, eksporton më shumë se të gjithë në SHBA: 70 miliardë euro, pas Gjermanisë (161 miliardë) dhe përpara Italisë (64,7). Por çmimi për të arritur marrëveshjen me Trump kompensohet plotësisht nga “stabilizimi” i marrëdhënieve me SHBA. Prej të paktën 30 vitesh, rritja ekonomike e “Tigrit Keltik” është bazuar në lidhjet e ngushta me gjigantët teknologjikë dhe farmaceutikë: Apple, Google, Meta, Pfizer, Johnson & Johnson — tërhequr nga incentivat fiskale dhe një burokraci minimale. Qeveria irlandeze ka mbështetur që në fillim arritjen e marrëveshjes, pothuajse me çdo kosto.
Spanja përpiqet të ndjekë rrugë të tjera tregtare
Qeveria e Pedro Sánchez nuk humbet rast për të theksuar distancën e saj nga Amerika e Donald Trump. Prej vitesh, rrugët tregtare të Spanjës janë fokusuar diku tjetër. Por tani çështja është kryesisht politike: Sánchez është, së bashku me Macron, një nga mbështetësit më të fortë të idesë se BE-së i duhet një “autonomi strategjike” më e madhe — pra, një emancipim gradual politik, ekonomik dhe ushtarak nga SHBA. Ai ka qenë i vetmi lider që ka kundërshtuar shtimin e shpenzimeve ushtarake në 5%, siç kërkon Uashingtoni. Edhe pse tani nuk shkon deri aty sa të bllokojë marrëveshjen, ai ka dhënë një “po” pa entuziazëm, siç e ka shprehur vetë.
Gjermania përfiton ulje të tarifave doganore për makinat
Gjermania është, de facto, boshti i marrëdhënieve ekonomike BE-SHBA. Kancelari i ri Friedrich Merz ka vendosur si objektiv hapjen e menjëhershme të një kanali komunikimi efektiv me Trump dhe ruajtjen e ndikimit tradicional të Berlinit në Bruksel. Në fund, Gjermania përfiton uljen e vetme domethënëse: tarifa doganore mbi importin e makinave ulet nga 27.5% në 15%. Ky sinjal mund të tregojë fundin e ofensivës amerikane ndaj makinave gjermane. Për Merz, ky rezultat mjafton për të mbështetur marrëveshjen dhe për ta përdorur si bazë për forcimin e lidhjeve me SHBA në fusha të tjera, si industria ushtarake apo koordinimi mbi Ukrainën.
Megjithatë, bota industriale gjermane ka kritikuar ashpër si përmbajtjen, ashtu edhe mënyrën e negocimit të Komisionit Evropian. Gjermania eksporton në SHBA mallra me vlerë 161 miliardë euro, thuajse një të tretën e volumit total të BE-së. Të gjitha këto sektorë do të preken nga tarifa e re doganore 15%. Diplomacia gjermane po punon për të zbutur ndikimin përmes amendamenteve dhe sugjerimeve për korrigjime.
Suedia e favorizuar nga marrëveshjet për çipet
Në përgjithësi, blloku skandinav ka qenë gjithnjë kundër çdo forme proteksionizmi. Por Suedia, për shembull, nuk është e pakënaqur me mënyrën se si po merr formë marrëveshja me Shtetet e Bashkuara. Stokholmi ka ndjekur një model eksporti të ndryshëm: pas rënies së industrisë automobilistike, vendi është fokusuar në produkte cilësore me vlerë të shtuar. Ato janë produkte të specializuara që do të vazhdojnë të kërkohen edhe nëse çmimi rritet për shkak të tarifave doganore 15%. Për më tepër, sektori elektronik dhe dixhital mund të përfitojë nga lidhjet më të ngushta me industrinë amerikane të teknologjisë.
Polonia kërkon më shumë armë ‘Made in USA’
Në të njëjtën linjë janë Polonia dhe vendet baltike. Për Poloninë, pranimi i marrëveshjes është më i lehtë: eksportet drejt SHBA janë vetëm 11.6 miliardë euro, rreth 12% e tregtisë jashtë BE-së. Për Varshavën dhe gjithë krahun lindor të BE-së, fjala kyçe është “siguri ushtarake”. Polonia e ka përshëndetur angazhimin evropian për të blerë më shumë armë amerikane, dhe, bashkë me vendet baltike, mbetet një nga klientët më të mirë të industrisë së mbrojtjes së SHBA-së.
Franca mbron industrinë energjetike
Qendra e kundërshtimit ndodhet në Paris. Presidenti Emmanuel Macron ka shumë arsye për të qenë i pakënaqur. Ekonomikisht, sipas tij, marrëveshja nuk funksionon. Përveç tarifave doganore që prekin eksportet franceze (47 miliardë euro), Macron kundërshton edhe klauzolat shtesë. Ursula von der Leyen ka angazhuar 27 vendet e BE-së të blejnë gaz, uranium për energjinë bërthamore dhe naftë amerikane me vlerë 250 miliardë euro në vit. Për Francën, energjia është shtylla e identitetit ekonomik: pse duhet një kompani si TotalEnergies të ndryshojë strategji për të favorizuar konkurrentët amerikanë?
Çështja e armëve është edhe më delikate. Trump ka deklaruar se evropianët do të blejnë një “sasi të jashtëzakonshme” pajisjesh ushtarake amerikane. Edhe pse kjo gjë nuk është përfshirë formalisht në protokollin e marrëveshjes — pasi bie nën kompetencën e NATO-s — Macron e konsideron si një kontradiktë të qartë me planin e riarmatosjes që Komisioni Evropian ka miratuar kohët e fundit, i cili synon pikërisht forcimin e industrisë ushtarake evropiane. Si mund të zhvillohet bashkëpunimi mes vendeve, nëse BE do të detyrohet të blejë avionë, drone e armë nga Amerika? Këto janë pyetjet që nxisin zemërimin francez.
Holanda trembet nga bllokimi i Roterdamit
Holanda është edhe më e ekspozuar se Franca ndaj tregtisë me SHBA. Në vitin 2024, eksportet arritën në 43.4 miliardë euro, ose 16.5% të tregtisë jashtë BE-së. Por qeveria holandeze nuk do të kundërshtojë apo sabotojë marrëveshjen. Sigurisht, rritja e tarifave doganore është një goditje për vendin, por interesi strategjik i Holandës është të mbajë të hapur rrugën transatlantike. Një luftë tregtare me SHBA do të sillte pasoja të rënda për logjistikën, veçanërisht për portin e Roterdamit – një nga nyjet më vitale të ekonomisë evropiane./Corriere Della Sera
Komente
