Ursula Von der Leyen

Bota

Tarifat doganore, SHBA-BE vijojnë negociatat pa afat për kuotën 15% dhe sektorët e përjashtuar

25 Korrik, 07:18| Përditesimi: 25 Korrik, 07:34

  • Share

Një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për tarifat doganore është “afër arritjes”, shpjegoi dje Komisioni Evropian në konferencën e përditshme me shtypin, por kjo nuk do të thotë se është finalizuar. Pika e kompromisit mund të jetë një tarifë bazë prej 15% me disa përjashtime. Do të jetë presidenti amerikan Donald Trump ai që do të ketë fjalën e fundit dhe negociatat vazhdojnë.

Nga Pekini, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, e cila ndodhej atje së bashku me presidentin e Këshillit Evropian António Costa për samitin BE-Kinë, shpjegoi se me SHBA-të “aktualisht kemi kontakte dhe diskutime shumë intensive teknike dhe politike” dhe theksoi se për BE-në “qëllimi kryesor është arritja e një zgjidhjeje të negociuar”. Megjithatë, theksoi von der Leyen, “të gjitha mjetet e tjera janë në tryezë dhe do të mbeten atje derisa të arrihet një rezultat i kënaqshëm”.

Dje, lista e produkteve amerikane me një vlerë prej 93 miliardë eurosh, që do të preken nga kundërtarifat në rast të mungesës së një marrëveshjeje, u votua dhe u miratua nga shtetet anëtare: të gjithë pro, përveç Hungarisë. Kjo listë u miratua nga Komisioni dhe u publikua në Gazetën Zyrtare: do të hyjë në fuqi, nëse do të jetë e nevojshme, duke filluar nga 7 gushti. Ndër produktet ikonike amerikane që do të preken janë motoçikletat Harley-Davidson dhe xhinset Levi’s, por edhe avionët Boeing, mishi i pulës dhe soja. Brukseli synon të godasë interesat e shteteve amerikane të drejtuara nga republikanët.

Komisioni gjithashtu bëri të ditur se nuk ka ndërmend të ndërmarrë masa të tjera të kundërpërgjigjes përpara datës 1 gusht, kur skadon ultimatumi i Trump, i cili do të shkaktonte vendosjen e tarifave doganore prej 30% mbi pjesën më të madhe të eksporteve evropiane në SHBA. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Komisioni nuk po punon mbi mjetet e balancimit, aq më tepër që tashmë është formuar një shumicë e kualifikuar midis shteteve anëtare — 15 vende që përfaqësojnë 65% të popullsisë së Bashkimit Evropian — e nevojshme për të aktivizuar, nëse do të jetë e nevojshme, instrumentin kundër shantazhit, të ashtuquajturin “bazooka”. Vendimtar ka qenë ndryshimi i qëndrimit të Berlinit, pas letrës së Trump të datës 11 korrik.

Qëllimi është një zgjidhje e negociuar, por nëse kjo nuk do të jetë e mundur, atëherë edhe Gjermania mendon, ashtu si Franca, se është e nevojshme të reagojë. Parisi, megjithatë, do që instrumenti kundër-shantazh të jetë i gatshëm menjëherë, por sipas Komisionit nuk jemi ende në atë pikë. Ekzekutivi i BE-së po punon gjithashtu për një kufizim të eksporteve evropiane të mbetjeve të çelikut dhe aluminit, të përdorura nga SHBA për prodhimin e produkteve të reja.

BE dhe SHBA vazhdojnë të negociojnë në vijim të marrëveshjes së arritur mes Tokios dhe Uashingtonit. Në tryezë është një tarifë bazë prej 15%, që përfshin gjithashtu 4.8% të ardhur nga klauzola e kombit më të favorizuar, bazë e tregtisë së lirë. Kjo do të aplikohej, sipas BE-së, edhe për automjetet dhe pjesët e tyre të ndërlidhura që aktualisht tarifohen me 27.5%. Po negociohet gjithashtu për përjashtime për disa produkte, përfshirë avionët, pijet alkoolike, pajisjet mjekësore dhe barnat gjenerike, si dhe, sipas Bloomberg, një sërë pajisjesh specifike prodhimi për të cilat SHBA ka nevojë. Në tryezë janë gjithashtu kuotat për çelik dhe alumin, mbi të cilat do të mbetej në fuqi tarifa doganore prej 50%. Sekretari amerikan i Tregtisë Lutnick, bashkëbisedues i komisionerit për Tregtinë Šefčovič, theksoi me të qeshur, drejtpërdrejt në CNBC, se "sa shumë" BE "dreqin" dëshiron të arrijë "një marrëveshje" me SHBA. Megjithatë, mbetet e paqartë çfarë qëndrimi do të mbajë Trump.

Ndërkohë, ministri italian i Bujqësisë Lollobrigida ka vendosur të vërë në dispozicion një miliard euro, prej të cilave 300 milionë për Fondin e Sovranitetit Ushqimor në mbrojtje të zinxhirëve të prodhimit, për të përballuar rrezikun e tarifave me hipotezën e 15% mbi produktet bujqësore dhe perspektivën e shkurtimit të Politikës së Përbashkët Bujqësore me 20% (nga 386 miliardë në 300) pas vitit 2027./Corriere della sera 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?