Përveç ndonjë surprize të madhe, sot Donald Trump dhe Ursula von der Leyen do të vendosin në 15% tarifën doganore mbi mallrat evropiane të eksportuara në Shtetet e Bashkuara. Teknikët e Komisionerit të BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic, kërkojnë që të unifikohet në 15% edhe taksa aktuale prej 50% mbi çelikun dhe aluminin, si dhe ajo prej 27,5% mbi automjetet. Ursula von der Leyen do t’i thotë Trump-it se evropianët janë të gatshëm të blejnë më shumë gaz të lëngshëm dhe më shumë armë “Made in USA”. Por lideri i Shtëpisë së Bardhë do të përgjigjet: mirë, por kjo nuk mjafton.
Çfarë kërkojnë amerikanët?
Kërkesat janë të shumta, por dy janë kryesoret:
E para, evropianët duhet të angazhohen të blejnë gjysmëpërçuesit (chipet), komponentë elektronikë të domosdoshëm për pothuajse të gjitha sektorët industrialë, vetëm nga furnizuesit amerikanë – jo nga Kina e as nga Tajvani. Nuk është aspak e sigurt nëse kapaciteti prodhues i SHBA-ve mund të përmbushë gjithë kërkesën e Kontinentit të Vjetër, por për administratën Trump kjo është çështje parimi: “jeni aleatët tanë, nuk mund të merrni materiale potencialisht të ndjeshme nga Kina ose vende të tjera, duhet t’i merrni nga ne”.
Tema tjetër është ajo e sektorit digjital, e cila rrezikon të minojë çdo marrëveshje, pasi debati teknik po shndërrohet në një çështje thelbësore politike si për Uashingtonin, ashtu edhe për Evropën. Duhet kujtuar fjala e zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance në Konferencën për Sigurinë në Mynih në shkurtin e kaluar, ku ai tha se “Evropa po e mbyt lirinë e shprehjes”.
Beteja për rregullat digjitale
Amerikanët kërkojnë që të shfuqizohet një pjesë e legjislacionit evropian në këtë fushë. Konkretisht, ata duan që të ndryshohet, ose më mirë të anulohet, Rregullorja për Tregjet Digjitale (Digital Market Act), e cila ka lejuar të hetohen praktikat e kompanive si Google dhe Apple. Por mbi të gjitha, Uashingtoni kundërshton rregullat për moderimin e përmbajtjeve online dhe mbrojtjen e përdoruesve të garantuara nga Rregullorja për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act).
Sipas Vance, këto kufizime jo vetëm që, në të vërtetë, nuk mbrojnë lirinë e shprehjes, por pengojnë biznesin e platformave amerikane, nga “X” e Elon Musk deri te “Meta” e Mark Zuckerberg. Madje, këto kufizime pengojnë dhe përhapjen e një propagande të pakontrolluar, si ajo e militantëve të Trump-it.
Problemi është se shumica e qeverive të BE-së dhe eurodeputetëve i konsiderojnë këto rregulla të panegociueshme. Nëse hiqen, bie edhe marrëveshja.
Kompromisi i mundshëm
Sipas burimeve evropiane, Komisioni po punon për një zgjidhje kompromisi: rregulloret nuk do të ndryshohen, por mund të lehtësohet zbatimi i tyre. Po shihet deri ku mund të shkohet, për të kënaqur Uashingtonin pa humbur mbështetjen e Parlamentit Evropian, e cila është e nevojshme për miratimin e çdo marrëveshjeje tregtare.
Diplomacitë dhe bizneset në lëvizje
Ndërkohë, po angazhohen edhe kompanitë dhe diplomacitë e vendeve të veçanta. Do të jetë e rëndësishme të identifikohen kategoritë e produkteve që mund të përjashtohen nga tarifat, ose të preken më lehtë.
Më pas do të tentohet të zbuten dëmet duke arritur marrëveshje me importuesit amerikanë. Një rast konkret është tregtia e verërave dhe specialiteteve të tjera agro-ushqimore. Prodhuesit italianë dhe shpërndarësit amerikanë mund të ndajnë mes tyre barrën e tarifave, në mënyrë që kostoja të mos transferohet plotësisht te çmimet, duke larguar kështu konsumatorët./ Corriere della Sera
Komente
