Rënia e re e Wall Street, e shkaktuar nga njoftimi i Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore të përgjithshme ndaj Kinës, ka tronditur tregjet aziatike.
Tokio rihapet me një rënie të fortë, duke humbur 5%. Humbje kanë shënuar edhe tregjet kineze dhe Hong Kongu.
Tokio mbyllet me –2,95%
Seanca e fundit e javës rezultoi sërish negative për Bursën e Tokios. Indeksi Nikkei e përfundoi ditën me një rënie prej 2,95%, duke zbritur në 33.585 pikë, pasi gjatë sesionit kishte rënë deri në 5%, si pasojë e seancës së djeshme në Wall Street dhe pasigurive të mëdha lidhur me tarifat amerikane, pavarësisht pezullimit 90-ditor të shpallur nga Trump. E njëjta ecuri u shënua edhe nga indeksi më i gjerë Topix, i cili ra me 2,85%.
Donohoe (Eurogrupi): “Për tarifat, përgjigje e përbashkët dhe proporcionale”
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, theksoi: “Duam të negociojmë para së gjithash dhe duam t’u përgjigjemi zhvillimeve që ndodhin në të gjithë botën në mënyrë shumë të balancuar dhe strategjike. Besoj se ky është mënyra e duhur për të përballuar sfidat tregtare me të cilat po përballemi”. Këtë deklaratë e përforcoi edhe presidenti i Eurogrupit, Paschal Donohoe, në mbërritjen e tij në takimin informal të ministrave të Eurozonës në Varshavë, që i paraprin mbledhjes së Ecofin-it.
Tesla ndalon porositë për Model S dhe X në faqen kineze
Kompania Tesla e Elon Musk ka pezulluar pranimin e porosive të reja për modelet Model S dhe Model X në faqen e saj kineze. Nga verifikimet e kryera, ky ndalim është i vlefshëm edhe në llogarinë zyrtare të kompanisë në platformën kineze të mesazheve WeChat.
Dollari në rënie të lirë, euro arrin nivelin më të lartë që nga 2022
Dollari është duke humbur ndjeshëm vlerë përballë valutave kryesore, duke arritur nivelet më të ulëta që nga viti 2024. Euro është ngjitur në 1,1282 ndaj dollarit amerikan, me një rritje prej 0,8%, duke prekur nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2022, pasi gjatë natës arriti deri në 1,1376. Po ashtu janë forcuar edhe stërlina (1,3015, +0,3%) dhe franga zvicerane (1,2202, +0,6%), që ka arritur nivelin më të lartë historik.
Çmimi i arit në rekorde të reja: Spot në 3.192 dollarë
Çmimi i arit po arrin nivele të reja rekord për shkak të luftës tregtare në zhvillim. Ari për dorëzim të menjëhershëm (Gold spot) tregtohet në 3.192,38 dollarë, me një rritje prej 0,51%, pasi gjatë natës kishte arritur në 3.219 dollarë.
Macron: “Një pauzë e brishtë, duhet të mbrohemi”
“Pezullimi i pjesshëm i tarifave amerikane për 90 ditë është një sinjal dhe një derë e hapur për negociata. Por kjo pauzë mbetet e brishtë”, shkroi presidenti francez Emmanuel Macron në rrjetin X. “Së bashku me Komisionin Europian dhe në unitet europian, qëllimi ynë është i qartë: të negociojmë për heqjen e këtyre tarifave të padrejta dhe të arrijmë një marrëveshje të balancuar, pa asimetri. Evropa duhet të vazhdojë të punojë për të gjitha masat kundërpërgjigjëse të nevojshme dhe të përdorë çdo mjet të disponueshëm për t’u mbrojtur, përfshirë edhe për të parandaluar që flukset nga vende të treta të dëmtojnë tregun tonë.”
Hong Kong nis me rënie 0,6%
Indeksi Hang Seng në Bursën e Hong Kongut ra me afro 0,6% në hapjen e tregtisë të premten, pasi Shtëpia e Bardhë sqaroi se tarifa totale mbi importet kineze arrin në 145 miliardë dollarë.
Tregjet kineze të dobëta pas humbjeve në SHBA
Bursat kineze e nisën ditën në territor negativ për shkak të humbjeve në Ëall Street, të ushqyera nga frika e një lufte tregtare të ashpër mes SHBA-së dhe Kinës dhe shqetësimeve për dëmet që tarifat mund t’i shkaktojnë ekonomisë globale, me fantazmën e një recesioni të gjatë: Indeksi Composite i Shangait ra me 0,13%, në 3.219,51 pikë, ndërsa ai i Shenzhen-it humbi 0,76%, duke zbritur në 1.854,16 pikë.
Tokio hapet me –5% pas rekordit të një dite më parë
Indeksi Nikkei ra me 5% në hapjen e bursës së Tokios, pas një rritjeje prej mbi 9% të enjten – rritja më e madhe ditore ndonjëherë – falë armëpushimit tarifor të shpallur nga Donald Trump. Në aspektin valutor, zhvlerësimi i dollarit ndaj yenit (në nivelin 143,50) dhe ndaj euros (në 161,70) ndikon kryesisht në aftësinë e kompanive japoneze për të eksportuar./La Repubblica
Komente
