Diplomati Jorgji Kote thotë se Donald Trump mund të tërhiqet nga kërcënimet dhe afati deri më 1 gusht për tarifën doganore prej 30% ndaj BE-së të njoftuar pak ditë më parë, ashtu sikurse edhe ka bërë herë të tjera. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, ai tha se presidenti amerikan e ka taktikë të veten ushtrimin e presionit për të arritur atë që do.
Sipas Kotes, BE deri më tani është treguar e mençur duke mos u treguar radikale me SHBA, edhe pse kundërtarifat i ka gati. Kjo, sipas tij, Unioni nuk mund të hyjë në një përplasje me SHBA, jo vetëm sepse lufta tregtare do t’i dëmtonte, por edhe për shkak të sigurisë dhe mbështetjes ndaj Ukrainës.
“Asnjë nuk mund ta thotë këtë gjë duke patur parasysh karakterin e papritur të Trump dhe metodën e tij të trysnisë, presionit e imponimit, gjë që e ka përvetësuar që kur ishte afarist i suksesshëm. Këtë metodë po e përdor edhe në gjeolitikë, edhe në vendosjen e tarifave. Duke patur parasysh këtë taktikë të presionit, të imponimit fillestar që të realizojë objektivat maksimale, më pas duke parë kundërshtimin e aleatëve, konkurrentëve, të situatës edhe brenda vendit, edhe nga partia e vet, është tërhequr. Ka arritur deri në minimumin e kërkesave të veta por falë karakterit të tij populist e ka quajtur sukses. Edhe këtë radhë mendohet se nuk do të ecë. Është trysni për të përfituar maksimum nga ana e BE. Që janë partnerë, edhe pse nuk po i tregon si partnerë. BE po tregohet i mençur, është treguar me diplomaci. Mundësitë më të mëdha është që ai të tërhiqet duke hyrë në bisedime të tjera, pas të cilave, do t’i quajë të suksesshme. BE e kishte kundërpërgjigjen gati, por duke patur parasysh presionet nga Gjermania, Franca e Italia, s’duhet të hyjë në grindje me SHBA, jo sepse nga kjo luftë tregtare humbin të gjithë, kemi paraysh interesat e mëdha strategjike të Evropës, sigurinë dhe luftën në Ukrainë. Nëse BE tregohet majë më majë më gjuhën e Trump, rrezikon që Trump përveç këtyre tarifave të merrte edhe masa të tjera duke u tërhequr nga mbështetja e Ukrainës, që gjë nuk ka ndodhur por shënoi kthesë epokale me deklaratën e fundit. “, thotë ai.
Duke u ndalur te afati kohor prej 50 ditësh që i ka lënë Trump Putinit për të arritur një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë përndryshe do të përballet me tarifa 100%, ai tha se “kthesa” e tij është pozitive. Megjithatë, adresoi edhe shqetësimin se një kohë kaq e gjatë, mund t’i japë mundësinë Rusisë që të përparojë edhe më shumë në Ukrainë, me ofensivën e saj verore që ka nisur.
“Amerika më në fund e ka kuptuar se Rusia po luan me kohën se nuk do paqe e armëpushim. Ndaj pavarësisht dyshimeve, është ngjarje e mirë për Evropën dhe Ukrainën. Një nga ato elementë dyshimi është se pse 50 ditë. Pse kaq shumë? Pse jo 15? Kur Trump kishte thënë para disa ditëve se brenda javës do jepet armëpushimi, tani e shtyn 50 ditë. 50 ditë janë shumë që Rusia të avancojë me ofensivën e madhe verore. Pavarësisht nga kjo që ndodhi me Trump, nga ndihma, Rusia është e vendosur të vazhdojë me më egërsi. “, tha ai.
Sipas tij, edhe me metodën e sanksioneve që vendos BE, nuk mund të ndalohet Rusia. Sipas tij, sanksionet mund ta dëmtojnë, por nuk i japin dot fund luftës në Ukrainë.
Komente
