Ish-ministri i Financave Arben Malaj shprehet se institucionet duhet të ndërmarrin masa për të 'zbutur' ndikimet negative që do të kenë tarifat doganore e vendosura nga Donald Trump, të cilat prekin edhe Shqipërinë. Sipas tij, ekonomia shqiptare do të preket indirekt për shkak të deficitit të madh tregtar.
Në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri" në Report TV, Malaj deklaroi tarifat kanë rritur inflacionin dhe ky faktor mund të ndikojë në uljen e të ardhurave reale të konsumatorëve.
“Kërkojmë që ministria e Ekonomisë të shikojë të gjitha masat lehtësuese për të amortizuar këtë rritje tarife. Ndërsa ekonomia shqiptare në tërësi nga lufta e tarifave do të preket më shumë indirekt pasi jemi një vend me deficit të madh tregtar, dhe sa më shumë të importosh nga vendet e tjera, aq më shumë do të importosh edhe inflacionin e rritur. Cilat janë shqetësimet konkrete për biznesin dhe konsumatorin shqiptar nga kjo luftë tarifash. E para, tarifat kanë rritur inflacionin duke filluar nga SHBA ku niveli i inflacionit ligjor 2 për qind, ndërsa në fakt është mbi 3.8 për qind. Trump ka kërcënuar dje guvernatorin e Bankës së SHBA që të ulë sa më parë koston e parasë në rast të kundërt është duke bërë politikë. Ne duke importuar shumë dhe duke marrë një inflacion më të lartë, do të bien të ardhurat reale të të gjithë pjesës konsumatore por do të preken më rëndë shtresat më të varfra dhe të mesme. Duke pasur inflacion të lartë, bien të ardhurat reale. Në kushtet kur ka inflacion do të blesh më pak. Kur nuk ka shitje, atëherë kërkesa agregate përcakton ritmet e rritjes së ekonomisë. Kur kërkesa nga individi bie, atëherë ekonomia ngec. Në kushtet kur bie rritja ekonomike, fillojnë dalin në pah problemet sociale. Një rritje ekonomike e vogël, do të thotë rritje të papunësisë dhe varfërisë.”, u shpreh Malaj.
Çfarë masash duhen ndërmarrë? Sipas Malajt, së pari duhet ngushtimi i deficitit tregtar. Ai thotë se qeveria duhet të ndihmojë sektorin që preket që të mos bjerë në krizë.
“E para dhe kryesorja është ngushtimi i deficitit tregtar. Ne kemi deficit të lartë, sidomos të produkteve bujqësore dhe blektorale. Nëse ulim sasinë që importojnë, uli edhe inflacionin nga vendet që blejmë mallra për ta sjellë në Shqipëri dhe pasur pasojat negative. Lidhur për shembull me eksportuesit e sherebelës, e para kudo në botë kanë politika mbështetëse, e dyta mund të kenë vështirësi të përkohshme dhe duhen ndihmuar që të mos bien në krizë. Nuk kanë para dhe rrezikohet të reduktohet aktiviteti. Në këtë rast ndërhyn ndihma shtetërore por me kosto të ulët dhe me shpejtësi. Pamë në pandemi se biznesi nuk e pëlqeu ndihmën shtetërore. Mund të jepet një amortizim i përshpejtuar për teknologjinë më bashkëkohore.”, u shpreh Malaj.
Malaj thotë se duhet gjetur një zgjidhje për sektorin e bimëve medicinale, që rrezikohet më së shumti nga tarifat, pasi është edhe më sensitiv.
“Janë disa kriza, por nuk mundet që të gjejmë një zgjidhje me një mekanizëm prandaj duhet të ulet banka e Shqipërisë, ministria e Ekonomisë dhe Financës dhe të gjejnë një paketë. E kam vizituar vetë zonën e sherebelit. Atje janë gra edhe 80-vjeçare që punojnë me fëmijët e tyre më shumë me krahë sesa teknologji sepse luftojnë për mbijetesë dhe nuk mund të injorohen. Qeveria duhet të zbusë goditjet nga krizat e jashtme dhe të mbështesë biznesin që të zhvillohet.", shtoi Malaj.
Malaj thotë se lufta e tarifave doganore bëhet për qëllime gjeopolitike, që sipas tij, është edhe shqetësimi më i madh. Duke cituar bankat e huaja, ai thotë se parashikohet që ekonomia rrezikon të bjerë në recesion.
“E para lufta e tarifave është në thelb një instrument për përfitime gjeopolitike dhe ky është shqetësimi më i madh. E dyta në historinë e SHBA ka pasur një rast përdorimi i tepruar në debatin politik në kongresin dhe senatin amerikan, një nga presidentët theksoi se nëse proteksionizmi kthehet në qëllim në vetvete, atëherë vendi rrezikon të humbasë edhe ekonominë dhe sigurinë. Që nga kompanitë më të mëdha botërore, parashikojnë fatkeqësisht që pas shpalljes së tarifave, probabiliteti që ekonomia të zbresë në recesion është rritur nga 40 në 60 për qind dhe kjo është kërcënuese.”, u shpreh Malaj.
Ndërkohë, duke u ndalur te deklarata e Sali Berishës se do të negociojë me Trump për të hequr tarifat doganore, ish-ministri i Financave tha se duhen shmangur deklaratat politike pasi e dëmtojnë më shumë problemin.
"Unë besoj se Berisha, duke e respektuar si lider të opozitës, ka shumë gjëra për të negociuar, sherebela apo diçka tjetër. SHBA nuk bën negociata individuale apo siç ishte rasti i deklarimit të nxituar të presidentes së Kosovës, që t'i bëjmë tarifat zero, pa u konsultuar me ministrinë e Financës kur tarifat e importit të produkteve amerikane në buxhetin e Kosovës ishte jo më pak se 40 mln dollarë. Nuk duhet të kemi gara politikanësh as gjatë zgjedhjeve apo asnjë konkurrencë për propozime populiste që e dëmtojmë më shumë problemin.", tha Malaj.
Komente
