Donald Trump

Bota

Tarifat doganore, Trump optimist: Gjithçka do të shkojë mirë me BE-në

16 Korrik, 07:02| Përditesimi: 16 Korrik, 07:14

  • Share

Vijojnë negociatat mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje parimore deri më 1 gusht, datë në të cilën presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa doganore 30% mbi pothuajse të gjitha eksportet e BE-së. Nga Uashingtoni, pas letrës, vijnë megjithatë sinjale hapjeje: “Po diskutojmë”, tha Trump, duke shtuar se “Bashkimi Evropian na ka trajtuar keq në të kaluarën, por tani po na trajton mirë. Mendoj se gjithçka do të shkojë mirë me BE-në”.

Megjithatë, kujdesi mbetet i domosdoshëm, pasi presidenti amerikan ka zakon të bëjë kthesa të befasishme dhe për pasojë mbizotëron pasiguria. Ekipet teknike të Komisionit ishin dje në udhëtim drejt Uashingtonit dhe në mbrëmje komisioneri për Tregtinë Maroš Šefčovič zhvilloi një bisedë telefonike me përfaqësuesin amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer: ai është i gatshëm nga ana e tij të niset në çdo moment drejt Shteteve të Bashkuara. Është e qartë, megjithatë, se marrëveshja përfundimtare duhet të nënshkruhet nga dy presidentët, Trump dhe Ursula von der Leyen.

Për përmbajtjen e negociatave ruhet diskrecioni maksimal. “Jemi në fazën më delikate të këtyre negociatave dhe po punojmë për të arritur një marrëveshje parimore”, deklaroi dje zëdhënësi i Komisionit për Tregtinë, Olof Gill. Për të mos rrezikuar negociatat, Brukseli ka zgjatur deri më 6 gusht pezullimin e një pakete të parë kundërmasash si përgjigje ndaj tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin evropian, që godasin eksportet amerikane drejt BE-së me një vlerë prej 21 miliardë euro. Në shënjestër janë produkte ikonë si Harley-Davidson, xhinset Levi’s, jahtet luksoze, lëngu i portokallit dhe gjalpi i kikirikut.

Të hënën, Komisioni ka ndarë gjithashtu me qeveritë një listë të dytë, që mbulon eksporte amerikane me një vlerë prej 72 miliardë eurosh dhe u ka dhënë kryeqyteteve kohë për ta analizuar përpara se të bëjë propozimin përfundimtar. Komisioni ka sqaruar se nuk ka ndërmend të shpallë listën përfundimtare para datës 1 gusht, ndërkohë që negociatat janë ende në zhvillim, pasi “qëllimi mbetet arritja e një marrëveshjeje parimore me SHBA-të”. Kancelari gjerman Friedrich Merz, zakonisht shumë i kujdesshëm, i bëri dje thirrje Shteteve të Bashkuara që të mos e “nënvlerësojnë” gatishmërinë e Evropës për të reaguar nëse tarifat 30% hyjnë në fuqi: BE është e gatshme të “përgjigjet ndaj barrëve doganore jashtëzakonisht të larta me masa të ngjashme”.

Ministri francez për Çështjet Evropiane, Jean-Noël Barrot, ishte më i ashpër: Evropa “nuk mund të jetë vasale” e Shteteve të Bashkuara, deklaroi ai. Në dokumentin me 202 faqe të dërguar vendeve anëtare përfshihet edhe bourbon-i, i cili fillimisht dukej se ishte përjashtuar me kërkesë të disa shteteve anëtare për të shmangur hakmarrje ndaj verërave dhe pijeve alkoolike evropiane: Trump kishte kërcënuar me një tarifë prej 200%. Në listë përfshihen gjithashtu avionë dhe komponentët e tyre (Boeing), makineri, industria automobilistike, substanca kimike dhe materiale plastike, fruta, perime, vezë dhe kallamarë. Janë përjashtuar kompjuterët, motorët, mikroskopët dhe instrumentet e precizionit. Komisioni ka propozuar gjithashtu kufizime për eksportet e BE-së drejt SHBA-ve të mbetjeve dhe skrapit të hekurit dhe aluminit. BE synon një normë prej 10%, e njëjtë me atë të arritur nga Mbretëria e Bashkuar, por po shtohen të panjohurat, veçanërisht për sektorët strategjikë: automjetet, çeliku, avionët dhe agro-ushqimi./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?