Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën këtë të hënë, 3 shkurt, në Bruksel për të diskutuar marrëdhëniet tregtare mes Bllokut dhe SHBA, shpenzimet ushtarake dhe rritjen e industrisë së mbrojtjes në Europë. Diskutimet u fokusuan pas deklaratave të Trump për vendosjen e tarifave ndaj bllokut. Udhëheqësit e vendeve anëtare dhe zyrtarë të lartë të bllokut thanë se nuk do të kishte fitues në një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Kaja Kallas theksoi se tarifat amerikane do të ndikonin në vendet e punës dhe çmimet, duke shtuar se Kina do të ishte e vetmja që do të përfitonte nga një situatë e tillë.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se BE-ja është gati për të reaguar ndaj çdo takse tregtare të SHBA-së, por “qëllimi kryesor është bashkëpunimi”.
Ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk, tha se një luftë tregtare është një gabim trashanik dhe duhet bërë gjithçka që është e mundur për të ndaluar aleatët që luftojnë mes njëri-tjetrit “përballë një kërcënimi rus apo kinez”.
Ndërsa liderët evropianë kërkuan bisedime, Macron tha se do ketë përgjigje të fortë nëse është e nevojshme ndaj kërcënimeve të fundit të Donald Trump për të vendosur tarifa ndëshkuese.
“Nëse sulmohen interesat tona komerciale, Europa, si një fuqi e vërtetë, do të duhet të respektohet dhe për këtë arsye do të reagojë”, tha presidenti francez.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)