Bota ndodhet në një udhëkryq ekonomik, dhe përfituesit kryesor do të jenë shtetet që do të ndërtojnë ura bashkëpunimi tregtar me vende nga të gjitha kontinentet, por edhe ata që nuk i ‘kthejnë’ shpinën SHBA-së pavarësisht tarifave.
Duke mbrojtur politikën e re të SHBA-së, e cila ka hapur luftë globale me tarifat, Presidenti i dhomës Amerikane në Shqipëri Grant Van Cleve thotë se Shqipëria nuk duhet të distancohet nga SHBA, pasi politika e Trump është negocimi shtet-shtet.
“Teksa administrata Trump kërkon të zhvillojë marrëdhënie vend pas vendi, ka mundësi që Shqipëria të përfitojë shumë. Po më rritet gjithnjë e më shumë besimi në rëndësinë që ka Amerika për zhvillimin e Shqipërisë. Po më rritet gjithashtu edhe besimi kur ju them që duhet të forconi marrëdhënien tuaj me Amerikën”, tha Van Cleve.
Kjo ‘luftë’ e kritikuar fort nga Bashkimi Evropian, i cili paralajmëron kundërpërgjigje me sanksione, sipas Van Cleve duhet të shfrytëzohet nga Shqipëria për të bërë sa më shumë marrëveshje bilaterale me shtete të ndryshme.
“Ndodhemi në një udhëkryq interesant në ekonominë globale, jemi pjesë e një tranzicioni dhe evolucioni masiv. Shqipëria ndodhet në një pozicion shumë interesant për të përfituar nga këto tranzicione. Në lidhje me marrëdhëniet me Amerikën, me mundësinë për të zhvilluar marrëdhënie bilaterale dhe jo vetëm në nivel blloku në Bashkimin Evropian”, u shpreh Van Cleve.
Sa i takon integrimit në BE, Dhoma shprehet optimiste.
“Nëse më pyesni mua, unë besoj se kjo do të ndodhë, kjo po ecën përpara. Dhe nëse veprojmë mirë, kjo mund të realizohet”, tha ai.
Në konferencë me bizneset dhe përfaqësues të partive politike në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Dhoma Amerikane vjen me propozime konkrete kur kërkon fuqizim të kapitalit njerëzor.
“Mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtorë është një nga problemet me të mëdha që kemi prej 3 vitesh”, tha Mullaj.
Propozimet e Dhomës Amerikane janë të ndërtuara në 7 shtylla kryesore, nga kërkesa për një ligj të ri për investimet e huaja, stabilitet në taksa, vijim të luftës ndaj korrupsionit deri te zgjidhja e problemit të pronave.
Komente

Si populli shqiperise : nuk kemi nevoj per marveshje sepse qeveria juaj shikon interesin e trampit si bizesmen , po sikur trami juaj te kerkoje mineralet e Shqiperise apo Sazanin ? Çfar duhet te bejme tja japim dhe te jemi nen hyqmin e trapit ? Jo kur nuk ka per te ndodhur Shqiprria eshte e shqiptareve dhe jo e amerikaneve .Nuk duhet te kete bisedime .
Përgjigju