General Motors

Bota

Tarifat godasin prodhuesit amerikanë të makinave, General Motors humbet 1.1 miliardë dollarë

23 Korrik, 10:24| Përditesimi: 23 Korrik, 10:29

  • Share

Të parat që po ndiejnë efektin negativ të tarifave doganore të vendosura nga Trump janë pikërisht kompanitë amerikane të makinave, të njëjtat që, sipas synimeve të Shtëpisë së Bardhë, duhet të përfitonin nga politika e re proteksioniste. Shifrat më të fundit janë ato të General Motors, që e mbyll tremujorin e dytë me një rënie prej 35,4% në 1,9 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat kanë rënë me 1,8%, duke shkuar në 47,1 miliardë dollarë, me tarifat doganore të vendosura nga SHBA-të për këtë sektor që japin një goditje të fortë: peshojnë 1,1 miliardë dollarë. Dhe parashikimet vjetore të GM tregojnë një efekt negativ nga tarifat që varion mes 4 dhe 5 miliardë dollarësh. Më shumë se sa kishte parashikuar kompania italo-franko-amerikane Stellantis, e cila llogarit një ndikim negativ që luhatet mes 1 dhe 1,5 miliardë dollarësh. Edhe Ford Motor e konsideron të mundshëm një ndikim deri në 1,5 miliardë dollarë në fitimin e saj operativ për shkak të tarifave në vitin 2025.

Nga ana tjetër, duhet kuptuar që sektori i prodhimit të automjeteve në Amerikën e Veriut përbën një sistem të vetëm të madh, që përfshin disa fabrika në Shtetet e Bashkuara, në Kanada dhe në Meksikë – impiante ku lëvizin pjesë e komponentë në të dy drejtimet. Një pjesë e madhe e montimit bëhet jashtë SHBA-ve. Tarifa prej 25% për momentin po sjell vetëm humbje në bilancet e kompanive të makinave, të paktën derisa prodhimi të zhvendoset nga Meksika dhe Kanadaja në SHBA, ashtu siç dëshiron Trump. Por prodhuesit kanë frikë se humbjet në kuota tregu, për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesës së shitjeve, mund të mos rikuperohen më.

Parashikimet e GM për gjysmën e dytë të vitit 2025 janë më të dobëta, për shkak të “volumeve sezonalisht më të ulëta”, shpenzimeve më të mëdha për lançimin e modeleve të reja dhe përballjes me ndikimin e tarifave në dy tremujorë. Grupi i Detroit-it parashikon një fitim operativ vjetor mes 10 dhe 12,5 miliardë dollarësh, pas një fitimi prej 6,5 miliardë dollarësh në gjysmën e parë të vitit. Drejtoresha ekzekutive Mary Barra thekson se kompania po riorganizon disa veprimtari pikërisht në dritën e tarifave, duke riafirmuar investimin prej 4 miliardë dollarësh në fabrikat amerikane.

Sipas Center for Automotive Research, një tarifë uniforme prej 25% për të gjithë partnerët tregtarë sjell një rritje kostosh prej 107,7 miliardë dollarësh për të gjitha kompanitë amerikane të makinave dhe një rritje prej 41,9 miliardë dollarësh për tre të mëdhatë e Detroit-it: Stellantis, General Motors dhe Ford. Shumëçka varet nga pjesa e montimit që zhvillohet në SHBA. Ford dhe Tesla, për shembull, do të kenë ndikim më të vogël sepse përqindja e prodhimit në territorin amerikan është e lartë, ndërsa për General Motors rreziqet janë më të mëdha, siç tregohet nga parashikimet e bëra nga CEO Barra./La Repubblica

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?