Komisioni i Konkurrencës i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë që të ndërhyrë në komisionet e bankave që u mbajnë qytetarëve gjatë tërheqjes së parave përmes bankomateve.
Ai kërkon kontrolle në metodologjinë e përllogaritjes së komisioneve, veçanërisht për kartëmbajtësit e huaj dhe për aplikimin e “mark-up”-it në shërbimin e këmbimit dinamik të valutës (DCC), si dhe të bëjë ndërhyrje rregullatore në lidhje me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve.
Kjo kërkesë vjen pas një monitorimi të detajuar në tregun e shërbimeve bankare përmes ATM-ve në territorin e Bashkisë Sarandë. Edhe pse nuk u konstatua ndonjë praktikë që cenon konkurrencën, Komisioni vë në dukje probleme në transparencë dhe në mënyrën se si bankat aplikojnë tarifat ndaj konsumatorëve.
"Nga vlerësimi i të dhënave rezulton se nuk janë konstatuar praktika të kundraligjshme që cenojnë konkurrencën, por është evidentuar: një nivel i ulët transparence mbi tarifat; mungesë e harmonizimit për tarifat e aplikuara ndaj kartëmbajtësve të huaj, dhe problematika lidhur me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve.", thuhet në njoftimin e Komisionit të Konkurrencës.
Njoftimi i plotë:
Komisioni i Konkurrencës, në vijim të monitorimit të tregut të shërbimeve bankare në pajisjet ATM, shqyrtoi komisionet e aplikuara nga bankat e nivelit të dytë për tërheqje në bankomate në territorin e Bashkisë Sarandë.
Monitorimi u realizua në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë dhe përfshiu të dhëna të marra nga të gjitha bankat e licencuara në vend, sipas listës së publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Nga vlerësimi i të dhënave rezulton se nuk janë konstatuar praktika të kundraligjshme që cenojnë konkurrencën, por është evidentuar:
- një nivel i ulët transparence mbi tarifat;
- mungesë e harmonizimit për tarifat e aplikuara ndaj kartëmbajtësve të huaj, dhe;
- problematika lidhur me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve.
Për këto arsye, me Vendimin nr. 1193, datë 26.06.2025, Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë që të ndërmarrë masat e mëposhtme:
1. Të kontrollojë metodologjinë e përllogaritjes së komisioneve për tërheqje në bankomate, përfshirë komisionet për kartëmbajtësit e huaj dhe aplikimin e ‘mark-up’-it në shërbimin e këmbimit dinamik të valutës (DCC);
2. Të kërkojë raportim periodik dhe publikim të komisioneve në një format të unifikuar, lehtësisht të aksesueshëm nga publiku, si në faqet e bankave ashtu edhe në faqen e Bankës së Shqipërisë;
3. Të shqyrtojë nevojën për ndërhyrje rregullatore, bazuar në gjetjet e kontrolleve, në lidhje me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve dhe parandalimin e aplikimit të komisioneve disproporcionale.
Komente
