Pas dy aksidenteve të rënda me mjete lundruese, Jet Ski, Task-Forca e Durrësit ka nisur më në fund kontrollet në vendbazimet e tyre përgjatë gjithë bregdetit.
Në fokusin e kontrollit janë kufizuesit e sigurisë (bovat), jelekët, skafandrat si dhe dokumentacioni i mjeteve lundruese, kullat e vrojtimit dhe flamurët sinjalizues.
Oltsen Gripshi, kordinator i Task Forcës tha se “dhënia e këtyre mjeteve do të kryhet vetëm për personat që janë të pajisur me dëshmi lundrimi për këto mjete”.
Kordinatori i Task-Forcës me tej sqaron se këtë vit janë miratuar 10 vendbazime, 2 më shumë se vitin e kaluar. Një prej tyre në Gjirin e Lalzit dhe tjetri në plazhin e Currilave.
“Janë ngritur në të gjithë bregdetin e Durrësit,nga Kepi Rodonit deri te Derdhja e Përroit të Agait 190 kulla vrojtimi si dhe janë liçencuar 190 roje bregdetare”, shton Gripshi.
Ky kontroll është i vonuar pasi më 1 qershor, turisti britanik, Sylvester Obeg, humbi jetën në zonën e Shkëmbit të Kavajës sepse drejtonte pa patentë një Jet Ski, e cila u përmbys gjatë një manovre të gabuar. E plagosur mbeti mikesha e tij, që ndodhej në mjet.
Operatori turistik Luis Xhumari, i cili i kishte dhënë mjetin pa u siguruar për dokumentacionin e turisteve është lënë nga gjykata në arrest shtëpie dhe po hetohet për vepren penale “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërsa më 15 qershor, një tjeter turist belg u aksidentua me JetSki dhe rezultoi sërish pa leje drejtimi. 21 vjeçari ndodhet ende i plagosur në spitalin e Traumës, ndërsa pronari i mjetit lundrues Skedilajt Xhametaj në paraburgim për të njëjtën akuzë.
Komente
