Administrata Tatimore ka nisur një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese të drejtuar ndaj tatimpaguesve që merren me tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Kjo nismë synon të kontribuojë në formalizimin e tregut, të rrisë sigurinë ushqimore dhe të mbrojë konsumatorin.
Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për një periudhë dyjavore do të zhvillohet faza sensibilizuese, gjatë së cilës tatimpaguesit do të informohen mbi detyrimin ligjor për të shoqëruar çdo produkt me faturë tatimore të fiskalizuar.
DPT paralajmëron se çdo rast i konstatimit të mungesës së faturës do të shoqërohet me masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Njoftimi i plotë:
Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në sektorin e tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, me shumicë dhe pakicë, se ka ndërmarrë një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese, me qëllim formalizimin e tregut, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Duke filluar nga sot (datë 7 korrik 2025) Administrata Tatimore bën me dije se pasi ka analizuar të dhënat mbi aktivitetin tregtar të këtij sektori, për një periudhë 2-javore do të sensibilizojë bizneset nëpërmjet kanaleve të saj të komunikimit apo vizitave informuese në terren për përmbushjen e detyrimit ligjor për të lëshuar faturë të fiskalizuar për produktet që tregtojnë.
Sipas Ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, neni 6, pika 3; neni 7, pika 2 dhe neni 9, tatimpaguesit duhet që:
1- Çdo artikull blegtoral dhe bujqësor që disponojnë dhe tregtojnë ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar të blerjes, në të cilën të identifikohet dukshëm dhe qartë shitësi, si rrjedhojë edhe origjina e produktit.
2- Çdo artikull që tregtojnë ndaj konsumatorit final ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar, ku të jenë pasqyruar saktë dhe dukshëm emërtimi dhe çmimi i produktit.
Në përfundim të fushatës ndërgjegjësuse, Task-Forca e ngritur për këtë qëllim, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe inspektorë të monitorimit në terren, do të nisë kontrollet në vend për të verifikuar që çdo produkt bujqësor apo blegtoral shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.
Administrata Tatimore ju fton të deklaroni saktë dhe në mënyrë të plotë mbi aktivitetin tuaj tregtar, në përputhje me detyrimet ligjore në fuqi, në të kundërt mungesa e faturave të fiskalizuara do të sjellë penalitete sipas legjislacionit në fuqi.
Komente
