Tatimet kërkojnë ‘foletë’ offshore ku biznesmenët transferojnë paratë! Informacione në 77 shtete

26 Shtator, 17:13| Përditesimi: 26 Shtator, 19:47

  • Share

Biznesmenë shqiptarë apo thjesht individë të pasur, mund ta fshehin pasurinë e tyre të pajustifikuar në llogari bankare që i kanë në shtete të huaja të konsideruara ‘parajsa fiskale’.

Ky fakt i pranuar nga Ministria e Financave është bërë pjesë edhe e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, me qëllim që të luftohet si fenomen pasi po shmangen detyrimet tatimore.

Administrata Tatimore po punon për një analizë të thelluar mbi rastet e evazionit tatimor në lidhje me shtetet offshore. Për të goditur këtë fenomen, do të përdoren informacionet që do të shkëmbehen mes Drejtorisë së Tatimeve me homologët e shteteve të tjera.

Në strategji thuhet se kjo formë e evazionit tatimor, e kalimit të pasurisë në vendet offshore është e njohur ndërkombëtarisht, dhe për ta luftuar OECD bashkoi 150 shtete në Forumin Global, për të bërë të mundur shkëmbimin e informacionit për llogaritë financiare.

Në strategji thuhet se eksperiencat e shteteve të huaja përballë këtij fenomeni kanë dëshmuar për evazion të lartë fiskal, dhe Shqipëria nuk ka gjasa të bëjë përjashtim. Prej dy vitesh edhe Shqipëria ka nisur të shkëmbejë informacione me 77 shtete, dhe pritet të nisë përpunimi i të dhënave të siguruara për tatimpaguesit që janë pjesë e këtij hetimi.

“Shqipëria filloi shkëmbimet e para automatike në dhjetor 2020 dhe do të fillojë të marrë informacione për individë shqiptarë që kanë llogari financiare në juridiksionet e huaja (përfshirë këtu edhe pjesën më të madhe të "strehëve" tradicionale offshore)”, thuhet në Strategji.

Shtetet e konsideruara si ‘fole’ për fshehjen e të ardhurave nga të pasurit, janë kryesisht ishujt Kajman, Panama, Honduras, Hong-Kong apo edhe shtete të tjera si Holanda apo Luksemburgu.

Po ashtu edhe vetë Shqipëria mund të jetë duke u përdorur nga të huajt si parajsë fiskale, të cilët duke shfrytëzuar ‘stimujt bujarë tatimorë’ me norma të ulëta taksash mund të hapin kompani në Shqipëri vetëm për të fshehur paratë e tyre. Edhe ky fenomen do të jetë pjesë e luftës kundër evazionit.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?