Ekonomi

Tatimet publikojnë listën e pagave në turizëm, bizneset që i deklarojnë më të ulta përballen me hetime të thelluara

14 Qershor, 10:12| Përditesimi: 14 Qershor, 19:17

  • Share

Pagë minimale në bankë dhe pjesën tjetër në dorë. Ky fenomen i përdorur në sektorin e turizmit pritet të stopojë nga vendimi i fundit i marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e cila ka publikuar listën e pagave indikative për sektorin e turizmit.

Në listën e pagave të publikuara është vendosur që rrogat në këtë sektor të nisin nga 55 mijë lekë për rojet, në 60 mijë lekë për sanitaret apo punëtorët e krahut, 63 mijë për recepsionistët, 70 mijë lekë kamarieri, 90-100 mijë lekë menaxherët dhe 140 mijë lekë kuzhinier apo kryekuzhinier.

“Në kuadër të zbatimit të planit sektorial të turizmit dhe rritjes së pagesave për sigurimet shoqërore në funksion të rritjes së pensioneve, Administrata Tatimore informon të gjithë tatimpaguesit e këtij sektori se do të analizohen pagat e punonjësve të deklaruar në listëpagesa”, thuhet në njoftim.

Teksa u bën thirrje bizneseve të deklarojnë pagat reale të punonjësve, Administrata Tatimore thekson se çdo tatimpagues që pagën e punonjësit do ta deklarojë më pak se vlera e caktuar nga tatimet do të konsiderohet me risk dhe do të bëhet objekt i verifikimeve të thelluara. Për të bërë hetimin, tatimet do të krahasojnë pagat ‘dysheme’ të caktuara prej tyre dhe pagat që deklarojnë bizneset e këtij sektori.

Kjo masë e caktimit të pagave nga tatimet, vjen për shkak se shumë biznese nga baret, restorantet, hotelet apo resortet nuk deklarojnë rrogat reale të punëtorëve. Në këtë sektor sipas të dhënave të INSTAT punojnë rreth 43 mijë individë, numri i të cilëve rritet ndjeshëm në tre muajt e verës për shkak të bumit të lartë të turistëve.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?