Tavë kosi me pulë

Tavë kosi me mish pule, ja si të përgatisni vaktin e shijshëm

27 Nëntor 2022, 22:49| Përditesimi: 27 Nëntor 2022, 22:52

  • Share

Kjo është receta e një gatimi special që mbush shtëpinë me aromë të mrekullueshme, e gjithashtu me dëshirën për ta shijuar me njëherë.

Përbërësit

  • 1 pulë e freskët ose 4-5 thela mish pule
  • 150 gramë gjalpë (për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit)
  • 4 kokrra vezë të freskëta
  • 1200 ml kos i freskët
  • 4 lugë gjelle miell
  • 2 lugë gjelle me oriz
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz

Përgatitja e Mishit

  • Si fillim bëjmë gati mishin e pulës. E pastrojmë mirë me ujë të bollshëm dhe e vendosim të prerë në copa në tavë ose nëse dëshironi pulën mund ta lini të plotë, të paprerë.
  • Tavën e vendosim në furrë që të piqet dhe e lëmë derisa pula të marrë ngjyrën e kuqërremtë të pjekjes.
  • Gjatë kohës së pjekjes kontrollojeni mishin herë pas here duke e spërkatur nga sipër me lëngun e vet.
  • Pasi është pjekur e heqim nga furra dhe përgatisim salcën me kos.

Përgatitja e Salcës me Kos

  • Kujdesemi që lëngun e mbetur në tavën e mishit të pjekur ta heqim mënjanë pasi do të përdoret për përgatitjen e kosit
  • Vendosim një tenxhere në zjarr dhe shkrijmë gjalpin.
  • Hedhim miellin dhe e kaurdisim bashkë me gjalpin.
  • Në momentin që mielli zverdhet pak, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni me ngadalë lëngun e mishit (të cilit i hedhim edhe pak ujë shtesë)
  • Trazojmë me lugë druri dhe pa ndalesë në mënyrë që të shmangim krijimin e kokërrizave.
  • Pasi masa bëhet e njëtrajtshme e lëmë të vlojë pak dhe kur salca të jetë trashur e heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet.
  • Më pas, në një tas hedhim hedhim vezët dhe i rrahim fort derisa të njëtrajtësohen.
  • Shtojmë kripën, piperin, pak gjalpë, orizin dhe kosin dhe i përziejmë të gjitha bashkë.
  • Më pas, shtojmë salcën me miell dhe vijojmë t’i përziejmë derisa masa të jetë unison.

Përgatitja e Tavës

  • Në tavën ku kemi pulën e pjekur shtrojmë salcën e përgatitur të kosit.
  • Sipër i hedhim pak gjalpë të freskët të prerë në copëza të vogla.
  • Ndërkohë sigurohemi që furra të jetë e nxehtë në 200 gradë dhe fusim tavën të piqet përreth 30 minuta derisa në sipërfaqe të marrë ngjyrë të kuqërremtë.
  • Pasi fikim furrën, tavën e lëmë edhe pak për t’u mpiksur mirë në nxehtësinë e sobës e më pas e servirim të ngrohtë duke e spërkatur me majdanoz të grirë hollë.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria indekson pensionet me 4.1 për qind, si e vlerësoni?