Receta

Tavë me patëllxhanë dhe djathë nga zonja Albana

2 Prill, 12:01| Përditesimi: 2 Prill, 12:07

  • Share

Tavë me patëllxhanë dhe djathë

Përbërësit:

  • 1 kg patëllxhanë
  • 250 ml salcë domate ose domate të grira
  • 100 gr djathë kaçkavall të grirë
  • 150 gr djathë pice
  • 200 gr djathë të bardhë
  • 5-6 lugë supe vaj
  • 1 filxhan kafeje verë
  • 8-10 thelpinj hudhër
  • Piper i zi ose i bardhë
  • Arrë moskat dhe rigon
  • 4-5 domate të vogla
  • 1 tufë majdanoz
  • Kripë sipas shijes

Përgatitja:

Pastrojmë patëllxhanët, i presim për së gjati dhe i lëmë 5-10 minuta në ujë me kripë. Ndërkohë përgatisim salcën me domatet e grira ose me salcë domateje. Hedhim në tigan pak vaj dhe domatet, për t'i kaurdisur derisa të treten. Shtojmë pak kripë, piperin e zi ose të bardhë, hudhrat e grira, rigonin, një filxhan kafeje verë, një filxhan çaji ujë dhe i trazojmë të gjitha së bashku. Kontrollojmë shijen për kripë. Patëllxhanët i nxjerrim nga uji dhe i thajmë me letër kuzhine. Në një tigan hedhim pak vaj dhe i vendosim patëllxhanët për t'i skuqur shumë pak nga të dyja anët. Përgatisim djathin e bardhë, duke e prerë në kubikë të vegjël dhe domatet e vogla i presim në katërsh. Fillojmë shtrimin në tavë. Hedhim në fund të tavës 3-4 lugë nga salca e domates, e hapim dhe vendosim me radhë patëllxhanët pranë njëri-tjetrit. U hedhim përsipër nga salca e përgatitur dhe mandej shpërndajmë kubikë nga djathi i bardhë. Mbi të, shtrojmë djathë pice dhe përsëri një shtresë patëllxhanë. Veprojmë njëlloj si në shtresën e parë, hedhim salcë, djathë të bardhë, djathë pice dhe në fund shpërndajmë djathin e grirë. Për ta zbukuruar, vendosim nga një fetë domate, larg njëra-tjetrës dhe pak majdanoz të grirë imët. E vendosim tavën në furrë të nxehtë në temperaturën 200 gradë, për 20 minuta.

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, si ju është dukur fushata zgjedhore?