Sociale

“Taverna e Adriatikut”, panairi i agroturizmit në Durrës vjen për të tretin vit radhazi

15 Gusht, 09:39| Përditesimi: 15 Gusht, 12:02

  • Share

Durrës - Për 3 ditë me radhë dhe për të tretin vit, panairi “Taverna e Adriatikut” synon të sjellë tek qytetarët e Durrësit, shqiptarët e diasporës, por edhe turistët e huaj, ofertën më të mirë kulinare dhe artizane që qyteti 3000-vjeçar zotëron.

Me më shumë se 20 biznese pjesëmarrëse si agroturizma, kantina vere, fabrika të prodhimit të vajit të ullirit, por edhe artizanë duarartë nga ky panair, që është kthyer në një traditë të bukur, tërhoqi jo pak vëmendjen e kalimtarëve në shëtitoren “Taulantia”.

Shumë prej tyre u ndalën të degustonin nga afër produktet origjinale të tokës durrsake, por edhe të shihnin nga afër punimet e artizanëve të qytetit. Dhe shumë prej tyre nuk u larguan duarbosh nga stendat, pasi morën me vete shumëçka nga ajo që bizneset lokale kishin zgjedhur të reklamonin.

Për specialisten e Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë Durrës, Floreta Kërtusha, panairi këtë vit vjen me risi të shumta, por edhe me koncerte me këngëtarë të njohur, për t’u kthyer kështu në një festë të bukur gjithëpërfshirëse në kulmin e sezonit veror.

“Kemi menduar të bashkojmë shijen me traditën. Kemi shumë punime të vogla prej artizanëve lokalë. Ideja është që të sillnim në vëmendje të gjithë ata artizanë që bëjnë punime të realizuara me dorë dhe që janë shumë të kërkuara nga turistët, duke pasur në vëmendje elementët e trashëgimisë kulturore”, thotë Floreta Kërtusha.

E enjtja ishte vetëm nata e parë e panairit, pasi ai do të jetë i hapur edhe të premten dhe të shtunën.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?