SPAK ka dërguar për gjykim Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin, të akuzuar për trafik droge dhe grup kriminal, ndërsa, u janë sekuestruar rreth 1400 kg drogë dhe 10 mijë tableta ekstazi, karta bankare dhe telefona celularë, 1 orë “Rolex” dhe 1 orë e markës “HUBLOT”.
Nga hetimet rezulton se grupi kriminal, i përbërë nga shqiptarë, zviceranë, turq dhe italianë, kanë importuar drejt Zvicrës gjatë viteve 2018–2024 sasi të mëdha droge të llojeve kokainë, heroinë, marijuanë dhe ekstazi, që vinin kryesisht nga Amerika Latine dhe Gjermania.
Gëzim Bakalli akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, në 15 episode, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, për “Falsifikim i dokumenteve”, “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, si edhe “Falsifikim i akteve të gjendjes civile”.
Ndërkohë, Erjon Loci, akuzohet për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, në 6 episode, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes.
Hetimet janë realizuar mes autoriteteve shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Kantonit të Solothurnit në Zvicër, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe strukturave të hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. Lënda narkotike shpërndahej më pas në rajonin e Solothurnit dhe në vende të tjera. Nëpërmjet metodave speciale të hetimit, janë proceduar penalisht në të dyja vendet 12 persona, nga të cilët 10 janë hetuar nga drejtësia zvicerane.
Nga hetimet ka rezultuar se pjesë e grupit përveç personave zviceranë, turq dhe italianë janë edhe Gëzim Bakalli dhe Erjon Loci, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtësisht me anëtarët e tjerë të grupit për trafikimin dhe shitjen e drogës në territorin zviceran. Bakalli dyshohet se ka qenë drejtues dhe financues i veprimtarisë kriminale, me të paktën 15 episode të dokumentuara, ndërsa Loci ka ndihmuar në të paktën 6 raste të transportit dhe tregtimit të drogës.
Komunikimet mes anëtarëve të grupit janë realizuar përmes platformave të enkriptuara “Sky ECC”, “Threema” dhe “Signal”, që janë përdorur për të shmangur zbulimin nga autoritetet ligjzbatuese. Hetimet vijojnë, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë.
Njoftimi i plotë i SPAK:
SPAK dërgon për gjykim dosjen 108/2024 për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim, procedimin penal, nr.108 të vitit 2024 pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, në ngarkim të të pandehurve:
Gëzim BAKALLI (alias Shkembim Cërmanji), i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, më shumë se një herë, në 15 (pesëmbëdhjetë) episode, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal,
iii. “Falsifikim i dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal (sa i përket lejes së drejtimit të automjetit/patentës kosovare),
iv. “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, të parashikuar nga neni 189/1 i Kodit Penal sa i përket pasaportës kosovare),
v. “Falsifikim i akteve të gjendjes civile”, të parashikuar nga neni 191/1 i Kodit Penal (sa i përket kartës së identitetit kosovar).
Erjon LOCI, i akuzuar për konsumimin e elementëve të veprave penale:
i. “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, më shumë se një herë, në 6(gjashtë) episode, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,
ii. “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal.
Hetimet rreth këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë zvicerane, Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Nga aktet e administruara për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar e provuar se, Prokuroria e Kantonit të Solothurnit ka vijuar me kryerjen e hetimeve ndaj disa personave, mes të cilëve edhe shtetas shqiptarë, të cilët, gjatë viteve 2018-2024, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal kanë importuar sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe ecstasy, që sigurohej kryesisht nga Amerika Latine dhe Gjermania. Më tej, këto sasi tregtoheshin në rajonin e Kantonit të Solothurn-it, si edhe në vende të tjera.
Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, duke zbatuar metoda speciale të hetimit është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Zvicër dhe në Shqipëri i 12 personave (shtetas shqiptarë, zviceranë, turq dhe italianë), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal. Autoritetet e drejtësisë zvicerianë kanë proceduar 10 shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Me qëllim mbledhjen e provave që kanë të bëjnë me dokumentimin e aktivitetit të paligjshëm kriminal në territorin zviceran, lidhur me trafikimin, tregtimin dhe importimin e organizuar të lëndëve narkotike, janë kryer një sërë veprimesh hetimore.
Nga këto veprime hetimore ka rezultuar e provuar se bashkëpunëtorët e personave të proceduar ose/dhe të dënuar nga autoritetet zvicerane të drejtësisë, të cilët kanë trafikuar lëndë narkotike në mënyrë të paligjshme në territorin e Konfederatës së Zvicrës në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe e kanë tregtuar atë në territorin zviceran janë dhe të pandehurit Gëzim Bakalli, si dhe Erjon Loci.
Nga aktet e administruara në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale, ka rezultuar e provuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në këto aktivitete kriminale edhe përmes komunikimeve me anë të platformave të enkriptuara “Sky ECC”, “Threma” dhe “Signal”.
I pandehuri Gëzim Bakalli ka patur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale, të cilën e ka konsumuar në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal në 15(pesëmbëdhjetë) episode, ndërsa i pandehuri tjetër Erjon Loci, është njëri nga personat që ka ndihmuar të pandehurin Gëzim Bakalli, në transportimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në territorin zviceran në 6(gjashtë) episode', thuhet në njoftim.
Komente
