Të gjithë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilëve u është konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara, kanë zgjedhur që të paguajnë avokatët e tyre përmes ndihmës financiare që ua ofron Qeveria e Kosovës.
Që nga arrestimi i parë e deri më tash, nga buxheti i caktuar për këtë kategori, janë shpenzuar rreth 4.5 milionë euro.
Nga ky buxhet i garantuar me ligj deri, më tani ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi ka përfituar pak më shumë se të tjerët, gjithsej 792,250 euro.
I dyti për nga shuma e përfituar është kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, me gjithsej 729,750 euro. Gucati akuzohet për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve.
Nga buxheti i Kosovës deri me tani mbrojtja e ish-eprorit të UÇK-së, Rexhep Selimi ka përfituar 724, 00 euro.
Për mbrojtjen e ish-kreut të UÇK-së, Hashim Thaçi deri në muajin korrik 2021 janë paguar gjithsejtë 661,901 nga buxheti i Kosovës.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj, që po akuzohet për pendim në administrimin e drejtësisë ka përfituar 582,950 euro.
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa ka përfituar gjithsej 545,620 euro për mbrojtjen e tij.
Shifra më e ulët e parave të ndara nga buxheti i Kosovës është ajo e ish-eprorit të UÇK-së, Kadri Veseli në vlerë prej 379,724 euro.
Mungesa e kritereve
Në vitin 2015 kur u votua Ligji për Dhomat e Specializuara, në të njëjtën kohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan edhe një ligj tjetër që ua garantonte të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.
Ky vendim u pa si politikë nga monitoruesit e sistemit të drejtësisë dhe vazhdimisht u kritikua për faktin se gjithsecilit ish-pjesëtar të UÇK-së i garantohet qasje në fondet publike për të paguar avokatët apo ekipin mbrojtës para Dhomave të Specializuara.
Këtu nuk merren parasysh se a ka pasuri apo mjete financiare i akuzuari që të paguajë vet ekipin mbrojtës.
Ish-pjesëtarëve të UÇK-së nuk iu kërkohet asnjë dëshmi sesa kanë pasuri ose të holla në dispozicion, mirë automatikisht kanë të drejtë të kërkojnë ndihmë financiare për t’i paguar avokatët që i mbrojnë.
Deri më tani Dhomat e Specializuara kanë arrestuar dhe konfirmuar aktakuza për udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniq, deputetin Rexhep Selimi si dhe eprorin tjetër të UÇK-së, Salih Mustafa.
Po ashtu është arrestuar edhe Pjetër Shala si dhe për pengim në administrimin e drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve janë akuzuar krerët e Organizatës së Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Përveç Pjetër Shalës, të gjithë të tjerët sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë duke u mbështetur financiarisht për të paguar mbrojtjen e tyre.
Yll Zekaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se institucionet e Kosovës është dashur që të përdorin një praktikë më të mirë për ndarjen e ndihmës financiare për të akuzuarit e jo të përfitojë automatikisht çdo i akuzuar.
“Shteti i Kosovës ka shkuar përtej asaj që parashohin Dhomat e Specializuara, përtej asaj nëse një i akuzuar do të ketë mundësi që personalisht të ofrojë mbrojtjen apo jo dhe i njëjti do t’i mbulojë të gjitha kërkesat, duke u bazuar në disa kritere që i përcakton udhëzimi administrativ”, thotë Zekaj.
Avokati Taulant Hodaj, që është një nga pak avokatët kosovarë që janë të licencuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, thotë se Ministria e Drejtësisë nuk duhet t’i mbështesë të gjithë të akuzuarit në mënyrë automatike.
Ai thotë se të akuzuarit po e shfrytëzojnë buxhetin e Kosovës pasi nuk dëshirojnë që të shfrytëzojnë mundësinë që iu ofrojnë Dhomat e Specializuara pasi aty kërkohet verifikim që kanë mjete për të paguar avokat apo jo.
“Besoj se (të akuzuarit) kanë kërkuar ndihmë juridike nga Kosova, pak ose asnjëri ka kërkuar ndihmë nga Gjykata Speciale sepse është procedurë më e ndërlikuar dhe asnjëri nuk dëshiron të futet në verifikim se a i plotëson ato kushte apo jo”, thotë Hodaj.
Por, ushtruesi i detyrës së sektarit të Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, thotë se çështja e ndarjes së ndihmës për të akuzuarit është e rregulluar mirë me dispozita ligjore.
“Jam shumë i bindur dhe them me përgjegjësi të plotë që komisioni me rastin e shqyrtimit të vendimit e ka shqyrtuar dokumentacionin me përkushtim dhe me përpikëri dhe në këtë drejtim, asnjë pagesë, asnjë kërkesë nuk është përtej asaj që e përcaktojnë dispozitat përkatëse në fuqi”, thotë Bajraktari.
Në rast se të akuzuarit kërkojnë ndihmë ligjore nga Dhomat e Specializuara atyre iu kërkohen dëshmi të shumta mbi pasurinë e të akuzuarit dhe familjarëve të tij.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Dhomat e Specializuara kanë thënë se vetëm një i akuzuar ka kërkuar mbështetje për ndihmë juridike.
Familjarët e të akuzuarve shpenzuan 25,000 euro
Aktualisht, të akuzuarit përveç se kanë të drejtë të kërkojnë mbështetje financiare për të paguar avokatët, ligji në Kosovë u mundëson edhe kompensimin shpenzimeve që bëjnë familjarët kur vizitojnë të akuzuarit në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Mbi 25,000 euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për familjarët e të akuzuarve vetëm këtë vit.
Më shumti para janë kompensuar për familjarët e Rexhep Selimit, gjithsej 8,494 euro.
Ministria e Drejtësisë ka kompensuar familjarët e Jakup Krasniqit në vlerë prej 6,569 euro.
Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
Për vizita në Hagë, familjarët e Hysni Gucatit janë kompensuar në vlerë prej 4,276.
Familjarët e Kadri Veselit janë kompensuar me 2,453 euro.
Familjarët e Salih Mustafës janë kompensuar në vlerë prej 2,027 eurosh dhe në vlerë prej 1,495 eurosh janë kompensuar familjarët e Nasim Haradinajt.
Të drejtën që të kërkojnë kompensim për shpenzimet e tyre e kanë edhe familjarët e ish-presidentit, Hashim Thaçi, por sipas MD-së, ata nuk kanë kërkuar asnjëherë kompensim të të hollave që kanë shpenzuar në vizitat që i kanë bërë në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Sipas udhëzimit administrativ 03/2020 çdo i akuzuar, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga 12 anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë.
Mungesa e informacioneve për fondacionet Thaçi e Veseli
Të akuzuarit kanë mundësinë që të paguajnë edhe vet avokatët e tyre mbrojtës.
Për këtë qëllim, deri tash janë themeluar dy fondacione, një për ish-presidentin, Thaçi dhe një për ish-kryeparlamentarin, Veseli.
Këto dy fondacione nuk kanë bërë të ditur sesa është shuma e parave që është grumbulluar deri më tani.
Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional kërkon publikimin e çdo informacioni mbi çdo nismë që ka për qëllim mbështetjen financiare të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara.
“Nuk e kemi idenë se prej nga vijnë këto mjete. Kush janë ata persona që kanë shprehur vullnetin që ta përkrahin procesin e mbrojtjes. Nuk ka transparencë fare. Nuk e dimë nga vijnë këto mjete, kush qëndron parapa dhe cili është qëllimi i mbledhjes së tyre”, thotë Nrecaj.
Deri më tani Dhomat e Specializuara kanë intervistuar qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së disa në cilësinë e të dyshuarit për kryerjen e krimeve të luftës e disa të tjerë si dëshmitarë.
Procesi i ndihmës financiare për ta ishte mbajtur i fshehtë deri vonë, pasi përmes një vendimi të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj cilësoheshin informacione sekrete.
a ishte kryeministër, Haradinaj përmes disa vendimeve të qeverisë kishte mbështetur financiarisht katër të dyshuar potencialë nga Gjykata Speciale, gjë që ishte cilësuar qasje selektive.
Në mars të vitit 2019, asokohe kryeministri Ramush Haradinaj përmes një vendimi të qeverisë kishte ndarë 40,000 euro përkrahje financiare për ish-eprorin e UÇK-së, Lahi Brahimaj me të cilin ka edhe lidhje familjare.
Brahimaj ishte ftuar për intervistim dhe këto mjete i ishin ndarë vetëm në cilësinë e të dyshuarit potencial.
Njëjtë ishte vepruar edhe në rastin e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi për të cilin ish-kryeministri Haradinaj kishte ndarë 13,800 euro.
Sami Lushtakut iu kishin ndarë 9,100 euro të cilat më vonë i kishte kthyer ndërsa një shumë prej 7,000 eurosh i ishin ndarë Mahir Hasanit.
Deri më tani në Hagë ka filluar procesi gjyqësor vetëm nga Salih Mustafës. Në këtë rast janë mbajtur disa seanca dhe dëshmitarët e parë kanë filluar të japin dëshmitë e tyre./REL