Të ardhurat në 6 muaj u tkurrën me 250 mln euro, Ministria e Financave: Rënia më e madhe në Maj

8 Gusht 2020, 15:07| Përditesimi: 8 Gusht 2020, 15:27

  • Share

Situata ekonomike në vend mbetet ende delikate, ndërsa shifrat bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme. Vetëm në 6- muajit e parë të vitit janë mbledhur 31.2 miliardë lekë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Bazuar në treguesit e Ministrisë së Financave, buxheti i kësaj periudhe të parë të vitit është më i ulët se ai i vitit 2016. Janë rreth 3.4 miliardë lekë me pak se ne gjashtëmujorin e parë të atij viti, ku situata ekonomike filloj të përmirësohej pas një rënie në vitin 2015.

Por si u tkurrën të ardhurat nga pandemia? Vetëm në ditët e para të mbylljes ekonomike në muajin mars, arkës së shtetit i munguan rreth 6.6 miliardë lekë. Të ardhurat në muajin e tretë të vitit u tkurrën me 3.8% në raport me vitin 2019.

Ndërkohë ndikimin më të madh mbyllja e bizneseve e pati në muajin prill ku sipas ministrisë së Financave të ardhurat u ulën me 11.9 miliardë lekë. Në total gjatë atij muaj janë mbledhur vetëm 29 miliardë nga 41 miliardë lekë që u mblodhën në prill të 2019. 

E njëjta situatë e zymtë paraqitet edhe në muajin maj, ku të ardhurat kanë rënë me 14.8%, ose e përkthyer në shifra rreth 11.6 miliardë lekë më pak se në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ndërsa në muajin qershor kur situata ekonomike iu rikthye normalitetit ku shumica e bizneseve u hapën, reduktimi i të ardhurave ishte me 3.4 miliardë lekë.

Në 6 muaj sipas statistikave në total janë mbledhur 194.4 miliardë lekë, nga 226.1 miliardë lekë që u mblodhën në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa sipas zërave buxhetor rënia më e madhe e të ardhurave në 6 muaj është reflektuar tek tatimi mbi të ardhurat personale me minus 50 milionë euro në raport me vitin e kaluar. Shkak për këtë tkurrje është bërë rritja e numrit të të papunëve.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?