Të ardhurat nga doganat për korrikun 25 milionë euro më shumë se vjet, rritet konsumi produkteve të akcizës

1 Gusht, 12:07| Përditesimi: 1 Gusht, 18:01

  • Share

Afro 230 milionë euro janë të ardhurat doganore për muajin korrik, ose rreth 25 milionë euro më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thonë se kjo rritje e të ardhurave ka ardhur nga rritja e konsumit si rrjedhojë e sezonit turistik por edhe nga mirëmenaxhimi i sistemit doganor.

Sipas informacioneve zyrtare në muajin e kaluar është regjistruar shifër rekord në zhdoganimet e karburantit dhe birrës. Konkretisht në muajin e kaluar, është importuar 67 mijë tonë karburant ose 6 mijë tonë më shumë se vjet. Po ashtu është rritur me 1500 tonë importi i birrës, duke arritur në 12.800 tonë të zhdoganuara në total. Po ashtu në rritje është edhe importi i kafes dhe cigareve me 20 tonë më shumë se në korrik të vitit të shkuar.

Përveç turizmit, ndikim në rritjen e importit të mallrave të akcizës, si të birrës apo pijeve të tjera energjike ka dhënë edhe Kampionati Evropian i Futbollit, i cili shtoi ndjeshëm konsumin e këtyre pijeve si në ambientet e ngritura të FAN-ZONE po ashtu edhe nëpër lokale të shumta.

Ndërkohë në total nga janari deri në korrik të ardhurat e mbledhura nga doganat kanë arritur në afro 132 miliardë lekë ose 1,2 miliardë euro, duke u rritur me 96 milionë euro krahasuar me 7-muajit e vitit 2023.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?