Të bësh muzikë në Shqipëri, mes ëndrrave e sfidave! Serxhio Beqo, kompozitori që fitoi konkursin ‘Çesk Zadeja’: U frymëzova nga polifonia

9 Janar 2023, 14:59| Përditesimi: 9 Janar 2023, 15:08

  • Share

Prej dyerve te “Arteve” kompozitorët që dalin çdo vit, vërtiten në 10 të diplomuar. E ndonëse të tillë, shumë pak prej tyre, arrijnë të gjejnë hapësira për krijimtarinë. Artisti i ri Serxhio Beqo është një prej tyre.

“Krijimtaria ime përbëhet nga 10 vepra të stileve dhe të zhanreve të ndryshme, të cilat një pjesë e madhe janë bërë gjatë viteve të studimit”, thotë kompozitori i ri Serxhio Beqo.

Punon si mësues pianoje në shkollën “Servete Maçi”, jep kurse private, e numëron mbi 10 vepra të kompozuara... Njëra prej tyre, bazuar në këngën “Çu këput një këmbë nga mali”, u përzgjodh si fituese e konkursit ndërkombëtar “Çesk Zadeja”.

“E vlerësoj nismën e Ministrinë e Kulturës, sepse ishte e para që ndodhi. Shpresoj të jetë jo vetëm një në vit, por të jenë disa të tilla, që ne të jemi në çdo gjashtë mujor në kontakt pune, gare apo sfide me njëri tjetrin, pasi kjo është diçka që nxit krijimtarinë. Nëse nuk do të ishte ky konkurs, kjo vepër e imja nuk do të ekzistonte, ndaj besoj duhet të jenë dy ose tre në vit, të kësaj lloj natyre”, thotë më tej artisti.

Dy fituesit e tjerë në konkurs ishin kompozitorët e rinj Kris Sopiqoti dhe Jetmir Zaganjori.

“Duke parë veprat e dy kolegëve, të cilat u luajtën kur u bë ndarja e çmimeve , kuptova se niveli ishte me të vërtetë shumë i lartë”, thotë Beqo.

Juria e vlerësoi për ndjeshmërinë e lartë artistike, mbështetje në tabanin e muzikës sonë polifonike... Vetë artisti tregon se për të ishte një sfidë dhe plot emocione, eksperienca e të përjetuarit një vajtim polifonik abstrakt, të rrethuar nga tingujt dhe ekspresionet moderne.

“Pjesa e kërkimit në tabanin e muzikës sonë shqiptare tradicionale lindi si kërkesë e konkursit. Megjithatë  unë u përfshiva shumë që në kontaktin e parë që pata me këngën, që përzgjodha e cila titullohet “Çu këput një këmbë mali” dhe është nga zona e jugut të Shqipërisë. Një këngë polifonike e vajtimit, që është një vajtim për dikë që nuk jeton më. Dhe mua më ngjalli një emocion të jashtëzakonshëm, ashtu si dhe teksti. Edhe gjithë vepra që u zhvillua më pas ishte e lidhur nga kjo strukturë e kësaj kënge”, thotë kompozitori.

Nuk është e lehtë të kompozosh, pa pasur një nxitje konkrete, kjo shpjegon edhe pse shumica e veprave të kompozitorit janë realizuar gjatë viteve studimore. E megjithatë, kompozicioni tanimë është pjesë e tij, dhe inspirimi mund të vij, prej detajeve të vogla, tek temat e mëdha.

“Unë ashtu si shumë kompozitorë të tjerë e gjejnë frymëzimin ndoshta tek natyra, gjërat e përditshme që ne i shohim çdo ditë dhe na inspirojnë, por mund ta gjejmë edhe brenda vetes. Dhe që ky inspirim të materializohet kërkon shumë orë të gjata pune në tavolinën tënde të studimit”, tregon Beqo. 

Frymëzimin e gjen edhe te kompozitorë të njohur, që i kanë dhuruar skenës vepra të çmuara muzikore.

“Si shumë artistë të tjerë të rinj, ka një lloj figure që e marrin si shembull apo frymëzim, dhe për mua ka disa të tilla nëpër botë. Janë dy ose tre kompozitore që unë i ndjek me prejardhje hebreje. Njëra është Kaija Saariaho dhe tjetra është Lera Auerbach. Janë dy kompozitore që për mua sot në botë janë maja ose objektivi im për të arritur”, shprehet ai.

Mes sfidave të përditshmërisë, Serxhio mbetet i palëkundur në objektivin e tij, krijimtarinë muzikore.

“E shikoj veten në Shqipëri, duke investuar, për të qenë sa më pranë publikut, për të qenë pjesë aktive e muzikës serioze shqiptare, por nëse do flisja për objektiva madhore ose për ëndrra, sigurisht që do të doja që muzika ime të pushtonte botën dhe pse jo të shkonte në Hollivud”, shton më tej.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?