Lule Poiata, bashkëshortja e viktimës së zjarrit të rënë një ditë më parë në lagjen Tophane në Shkodër ende nuk e di se ka humbur bashkëshortin. E moshuara ndodhet në spitalin e Shkodrës nën kujdesin e mjekëve ndërkohë që po asistohet nga psikologët për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike
"Kjo është historia tragjike e një çifti të moshuarish, të braktisur, pa mbështetjen e askujt. Musa Zeqiraj humbi jetën duke u asfiksuar për shkak të flakëve që shoqëruan shtëpinë në të cilën jetonin me qira. Report Televizion është rikthyer edhe njëherë në vendin e ngjarjes duke marrë dëshmi të komshinjve të cilët kanë njohur çiftin e të moshuarve të braktisur nga të gjithë", tha gazetari Ergys Kavaja.
Çifti i të moshuarve jetonte prej disa vitesh në këtë zonë, pa fëmijë dhe pa mbështetjen e institucioneve. Komshinjtë i njohin si njerëz të qetë të cilët nuk bezdisën askënd, ndërkohe që ia faturojnë Shërbimit Social dhe Bashkisë së Shkodrës gjendjen e tyre të vështirë ekonomike e shëndetësore.
"Njerëz të urtë, të mrekullueshëm. Kanë qenë me probleme shëndetësore. Kanë qenë njerëz të vetmuar. Njerëz të mirë. Ka dashur që shteti të vinte dorë. Jo vetëm për to, por për të gjithë të vetmuarit. Meqë ekzistojnë azilet e pleqve. Turp për shtetin. Shteti nuk investon për ta", tha një banor.
Musa Zeqiraj, 78 vjeç humbi jetën si pasojë e asfiksisë, ku gjendja e tij shëndetësore në karrige me rrota vështirësoi nxjerrjen nga banesa.