Sociale
Drejt Punës

'Të del shpirti, po s’ke treg', Laureta Lemezhi rrëfen jetën me sakrifica në Blinisht: Pas punëve të fshatit, bëj sapunë

19 Shkurt, 20:44| Përditesimi: 20 Shkurt, 10:12

  • Share

Lufton çdo ditë për të mbajtur në këmbë biznesin e saj të vogël të sapunerisë, një ëndërr e bërë realitet për Laureta Lemezhin rreth 14 vite më parë.

Gjithçka nisi kur disa murgesha italiane të një misioni katolik u vendosën në Blinisht të Lezhës dhe i bënë ftesë grave dhe vajzave të fshatit që të trajnoheshin në prodhimin e sapunëve artizanalë.

“Vaji i ullirit është lënda e parë që e marrim tek fshatarët e zonës. Kur është hapur kjo punishte jemi trajnuar 5 gra. Kërkush nuk e ka besuar, edhe familjarët më kanë thënë pse po humb kohën kot. E mora me shumë pasion, kisha dëshirë të mësoja një gjë të re, se nuk e pata mundësinë të bëja një fakultet”.

Nëna e dy fëmijëve, jo vetëm e ndoqi me zell trajnimin, por është e vetmja që punon fort, ndonëse tregu nuk është i sigurt.

“Ato emigruan për një jetë më të mirë. Sot këtë punë unë e bëj vetëm. Është shumë e vështirë.  Nëse falimenton këtu në fshat, të gjithë do thonë që nuk ishte për ty. Nëse ia del, të duartrokasin. Por asnjëherë nuk e dimë nëse mund t’ia dalim, duhet gjithmonë besim dhe shumë punë “

Importi i produkteve të huaja dhe vendodhja e punishtes në zonë rurale e kanë penalizuar Lauretën me shitjet e produkteve. Ajo që nisi si pasion, kohët e fundit është kthyer në luftë për mbijetesë.

“Transparenca, garancia dhe produkti i mirë më kanë bërë që të mbijetoj. Për dy lekë punojnë të gjithë. Më vjen keq jo vetëm për produktin tim, por ka shumë produkte vendase që të del kokrra e shpirtit me ia arrit qëllimit dhe nuk ka asnjë garanci të shitjes sepse po na mbyt importi”.

Fusha kodra, male. Kështu e përshkruan rrugëtimin e saj, por vendosmëria ka bërë që të përballojë pengesat. Nuk i ka lënë pas dore as punët e fshatit, as rolin e saj si grua dhe nënë.

“Mund të fitoj 50 lekë ose 30 lekë për një produkt. Më mirë të fitoj pak dhe të mbijetoj dhe mos ta mbyll si biznes”, shprehet Laureta.

Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?