Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar ditën e sotme (3 shtator) formularin e deklarimit të pasurisë 4 shtetasve për veprat penale "Prodhim dhe sitjhe të narkotikëve" dhe "Armëmbajtja pa leje".
Gazetarja e Report TV Merin Maçi bën me dije se bëhet fjalë për Altin Çelën, Genci Xhixha, Ergest Zhupani, Sulejman Sina.
Mësohet se Genci Xhixha është në kërkim nga autoritetet shqiptare pasi është pjesë e dosjes Xibraka.
"Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
A. Ç., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
G. Xh., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
E. Zh., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale "Vjedhja me armë";
S. S., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale "Vjedhja me dhunë".
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë." - njofton policia