Operacioni Forca e Ligjit, ose ndryshe OFL, u ka kërkuar katër personave të dënuar për vepra të ndryshme kriminale, të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit të pasurive, pasi dyshohet t'i kenë vënë në rrugë të paligjshme.
Njëri prej tyre është Endrit Dokle, i liruar nga burgu këtë janar nga gjyqtarja e Krujës Enkeleida Hoxha. Endrit Dokle, anëtari i fundit i bandës së Durrësit që ishte në qeli, është i dënuar për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale;
Ndërkohë formularin duhet ta plotësojnë edhe motër e vëlla që jetojnë në Durrës. Bëhet fjalë për Hekuran dhe Fatbardha Hoxha, të dënuar për 'trafikim të narkotikëve e kryer në bashkpunim'.
Sakaq e njëjta gjë vlen edhe për Tedi Hoxhën, banues në Durrës. Ky i fundit është i akuzuar për veprat penale "Organizatë kriminale", "Instalim i pajisjeve interceptuese”, “Ndalim i komunikimeve informatike ose telematike" dhe "Konspiracion penal me synim aksesin e paautorizuar në sistemin e informacionit", parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Theksojmë se pasuria e Endrit Dokles, Fatbardha dhe Hekuran Hoxhës, janë verifikuar më herët nga gjykatat pasi kështu procedohet në rastet kur dikush dënohet. Ndërsa për Tedi Hoxhën nuk ka informacion pasi ai është i akuzuar dhe jo i dënuar.
Këta individë, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.