Tirane- Tre mandatet qeverisëse nuk ia lanë ulur aspak ritmin socialistëve për të aspiruar edhe një të katërt në 2025-ën. Rifreskimi i strukturave të partisë është paralajmëruar që në dhjetor të 2023-shit nga kryesocialisti Edi Rama, me synimin që viti zgjedhor t’i gjejë gati.
E mbi këto objektiva, të dielën është thirrur edhe asambleja e Partisë Socialiste. Mbi 300 anëtarë të Asamblesë janë njoftuar përmes një mesazhi se punimet do të mbahen më 11 shkurt në orën 10.30.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, është kujdesur t’i kujtojë anëtarëve të Asamblesë, se pjesëmarrja në këtë mbledhje është e detyrueshme, dhe se mungesat do të konsiderohen të pajustifikuara.
Fokusi do të jetë për raportimin e detyrave të lëna në Kongresin e Partisë Socialiste më 8 dhjetor, aty nga ku kryeministri Edi Rama njoftoi se pranvera e 2024-ës do ta gjejë Partinë Socialiste me struktura të reja.
Asambleja do të mbahet me dyer të mbyllura, ku veç organizimit të partisë nuk do të mungojnë as mesazhet politike.
Ky proces riorganizimi i PS-së, ka nisur që në korrik të 2023-shit, me shkarkimin e sekretariatit të Partisë, lëvizje e cila spostoi Damian Gjiknurin nga posti i sekretarit të përgjithshëm për t’ia besuar detyrën Blendi Klosit.
Ndryshimet do të prekin edhe drejtuesit e degëve në bazë, ndërsa në muajin prill pritet të zhvillohen zgjedhjet për delegatët e Kongresin e PS. Kongresi i ri, do të zgjedhë asamblenë e re, e kjo e fundit si organi më i lartë vendimmarrës në Partinë Socialiste do të votëbesojë anëtarët e rinj të kryesisë.