Në Shqipëri janë dy agjenci të licensuara që mbrojnë drejtat e autorit: Shoqata e Filmit Audiovizual, Artistik dhe Dokumentar-F.A.A.D, që mbron të drejtat e autorëve të prodhimeve audiovizuale dhe Albautor, shoqata që mbron të drejtat e autorëve të muzikës.
Krahas tyre si “mbikqyrës” i të drejtave funksionon edhe Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Autorit, si dhe SUADA, sporteli, i cili ka për detyrë të mbledhë të ardhura nga subjektet përdorues të veprave që mbrohen nga Ligji i të Drejtave të Autorit. Të dy këto organizma funksionojnë nën varësi të Ministrisë së Kulturës dhe kanë për qëllim mbrojtjen dhe mirëfunksionimin e të drejtës së autorit.
Por, vendimi i 21 gushtit i këtij viti i marrë nga Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Autorit ka sjellë shqetësim për përfaqësues të prodhimit audiovizual.
Përqindja e ndarjes së shpërblimeve të mbledhura për agjencitë e administrimit kolekt, ku 40 përqind e të ardhurave që vijnë nga këto shpërblime ligjërisht duhet t’u kalojnë autorëve, ndahen në mënyrë të padrejtë, duke ia kaluar të gjitha agjencisë “Albautor”, pra autorëve të muzikës.
“I jemi drejtuar KKDA-së pë për të bërë një ndarje sipas kompetencave të ligjit, një ndarje të saktë që nga 40 përqindësh, sa pjesë do i shkojë muzikës dhe sa pjesë do i shkojë audiovizualit. Albautor të themi të drejtën është treguar shumë korrekt, ndërsa i ka bërë me dije Këshillit se nuk përfaqësojnë audiovizualin. Pra nuk pretendojnë vetë ata që të mbledhin audiovizualin.”, thotë për "Report TV" Evien Dako, drejtor i F.A.A.D-së.
Problem tjetër që ata ngrenë lidhet edhe ne ndarjen e 40 përqindëshit, i cili nuk mund të bëhet në mënyrë të barabartë, por në bazë të llojit të veprës dhe përdorimit të saj.
Nga ana tjetër ekzistojnë ndryshime ndërmjet prodhimit audiovizual dhe atij muzikor.
“Nuk mund të krijohet një film vetëm nga një komponent, vetëm nga regjisori. Në muzikë ka dhe kanë autorë, pra një person i vetëm mund të bëjë dhe kompozimin, mund të bëjë dhe tekstin, por minimalisht po e konsiderojmë që janë dy persona. Në një film duhen minimalisht katër persona. E dyta: Kohëzgjatja e transmetimit të një film. ndërmjet filmit ka reklama. Pra ne shohim sot që, kur çdo televizion i cili ble një film është i detyruar të vendosë reklama të paktën të nxjerrë shpenzimet e filmit që ka vendosur ndërmjet muzikës, nuk vendos reklama. Pra fitimi që mund të krijojë një media nga filmi, në raport me atë që mund të krijojë nga një këngë është shumë e madhe.”, vijon Dako.
Edhe Shoqëria e Autorëve Audiovizualë me bazë në Bruksel, përmes një letre zyrtare e cilëson katastrofik vendimin e Këshillit sipas të cilit vendimi nuk parashikon asnjë shpërblim nga sistemi i unifikuar i menaxhimit kolektiv të të drejtave për autorët audiovizualë për komunikimin ndaj publikut në mënyra të ndryshme themelore të shfrytëzimit, duke parashikuar në vend të kësaj një pagesë vetëm për ritransmetimin e veprave audiovizuale, për t’u ndarë në mënyrë të barabartë me autorët muzikorë.
Dako vëren se kjo është një mosmarrëveshje madhore brenda kuadrit të të drejtave të autorit në vend ndërkohë që gjithë ky vendim bie ndesh me Konventën e Bernës dhe ligjit aktual kombëtar, duke dëmtuar financiarisht industrinë audiovizuale.
“Report TV” kërkoi një prononcim nga ana e Këshillit Kombëtar të të Drejtave të Autorit, por nuk mori asnjë përgjigje në lidhje me çështjen në fjalë.
Komente
