Jo rrallë herë, Gjykata e Strasburgut ka thyer vendimet e gjykatave shqiptare, madje edhe të Kushtetueses duke penalizuar shtetin shqiptar. Shkeljet janë veçanërisht në drejtim të së drejtës së pronës private tha Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
“Në jo pak raste Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje në procedurat tona të brendshme, duke përcaktuar detyrimin e shtetit shqiptar për marrjen e masave të nevojshme për korrigjimin e tyre. Ne menyre konkrete, përmes vendimeve të saj kjo Gjykate mund të vendosë ndaj shtetit marrjen e masave me karakter të përgjithshëm, ose me karakter individual, ose të të dyja masave së bashku.
Masat me karakter te pergjithshem jane vendosur kryesisht në rastet e konstatimit të shkeljeve sistematike të të drejtave themelore, veçanërisht në drejtim të së drejtës së pronës private dhe GjEDNJ ka vendosur detyrimin e shtetit shqiptar për miratimin e ndryshimeve në legjislacion. Ndërsa për disa nga këto çështje shteti shqiptar ka marrë masat e duhura, ka ende çështje të tjera qe vazhdojnë të mbeten në vëmendjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Ndonëse GjEDNJ ka gjetur shkelje në një numër të konsiderueshëm çështjesh ndaj shtetit shqiptar, në disa raste riparimi i shkeljes ka kërkuar rihapjen e procedurave nga gjykatat e zakonshme kurse në disa të tjera edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Numri i kërkesave të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese në këtë drejtim ka qenë i ulët, vetëm 8 kërkesa, për 5 prej të cilave Gjykata është shprehur me vendim përfundimtar. Ndërkohë, 1 kërkesë e vitit 2024) ka kaluar për shqyrtim në seancë dhe po pritet shqyrtimi i saj”
Shkeljen e të drejtave të njeriut nga organet e drejtësisë shqiptare të vëna në fokusin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut e pranon edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i cili tha se nga 2020 janë 101 vendime të GJEDNJ-së kundër Shqipërisë.
“Në tërësinë e vendimeve të GJEDNJ-së ndaj Shqipërisë, dëshiroj të veçoj ato në fushën e kompensimit të pronave, duke qenë se jo më larg se viti i kaluar, me nismën e Ministrisë së Drejtësisë u ndryshua ligji për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të pronave, pikërisht në zbatim të vendimit Beshiri kundër Shqipërisë. Në përputhje të plotë me qëndrimin e Gjykatës mbi këtë çështje, Shqipëria mori masat për të garantuar trajtimin e drejtë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të subjekteve ish pronarë.
Me qëllim përforcimin e mbrojtjes së të drejtave, Ministria e Drejtësisë ka hartuar për herë të parë Strategjinë për Viktimat e Krimit që synon të ofrojë një kuadër strategjik të plotë për mbrojtjen e qytetarëve si dhe zgjerimin e nocionit të viktimës së krimit sipas standardeve më të mira Evropiane, miratuar nga Këshilli i Ministrave në dhjetor 2023.
Këto deklarata u dhanë në nënkomisionin për Zbatimin e Vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.