Të drejtat e Njeriut në 49 filma, Festivali nis me Italinë, Casile: Flasin në mënyrë fantastike për ju! Tek Autoriteti në 57 minuta vrasjet nga UDB në tokën gjermane

19 Shtator 2023, 17:00| Përditesimi: 19 Shtator 2023, 17:40

  • Share

“E Vërteta, Pandëshkueshmëria dhe të Drejtat e Njeriut”, përmes 49 filmash. Me këtë slogan nis edicioni i 18 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, nën udhëheqjen e themeluesit të kësaj ngjarje regjisorit Kujtim Çashku dhe me praninë e Presidentit të Nderit të IHRFFA-s, Theodore Orlin.

“Është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore Karta e OKB-së ku shtetet zotohen se s’do të ketë më akte agresioni. Dhe ne tani jemi dëshmitar të një agresioni të tillë, ndaj nëse nuk i përgjigjemi, edhe përmes artit,  atëherë dhe të drejtat e njeriut do të vdesin!”, u shpreh Orlin gjatë çeljes së Festivalit.

Mbrëmjen e së hënës publiku pati mundësi të shikojë filmin Italian “Marrëzi martese” me regji të Demetrio Casile. Satira e pamëshirshme shënjestron përmes ironisë sistemin arrogant që prodhon padrejtësi sociale…

“Duhet të dini që në Itali është krijuar një konsideratë shumë e mirë për mënyrën se si po zhvillohet kinemaja në Shqipëri. Për këtë unë pata një kënaqësi të pamatë kur më ftuan këtu. Sepse shumë kineast italianë po punojnë me regjisorë shqiptarë dhe flasin të gjithë në një mënyrë fantastike për kinematografinë shqiptare “, tha Casile i pranishëm në hapjen e festivalit.

Një dokumentar therës produksioni gjermano-kroat, “Urdhra vrasjesh nga Beogradi” i Dragan Kotic, premiera e të cilit u shfaq sot në sallën “Musine Kokalari” të Autoritetit të Dosjeve…

Në 57 minuta, shpalosen përmes dëshmive të fëmijëve, të afërmve dhe miqve, vrasjet e mërgimtarëve kroatë nga shërbimi sekret i ish-Jugosllavisë në tokën gjermane… Ngjarjet shtrhen nga ’45-a në vitin 1990, dhe mes viktimave janë edhe fëmijë 3 apo 9 vjeç.

Nga këndvështrimi i viktimave rrëfehet, paranoja e sistemit të Titos, ngjashëm me atë të diktatorit shqiptar Enver Hoxha, që siç tregojnë dëshmimtarët shihte kudo armiq të jashtëm e të brendshëm, tentativat për të fshehur krimet, por edhe bashkëpunimi që gjetën në Republikën Gjermane…

Prej 2005-ës nga autoritetet gjyqësore në Mynih, po bëhen hetime, për të zbardhur këtë kapitull të përgjakshëm shënjuar nga ish-Jugosllavia e shërbimi sekret i UDB-së

“Urdhra vrasjesh nga Beogradi”, u shfaq dhe u diskutua në praninë e aktivisteve, studiuesve dhe  institucioneve partnere në fushën e të drejtave të njeriut. Festivali i organizuar nga Akademia “Marubi” do të vijojë deri në 23 shtator.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?