Sociale
Drejt Punës
Speciale

Të fshehtat dhe truket e profesionit dixhital! Si blogerët i kthejnë ëndrrat në para?

“Surpriza e parë është se unë e nisa pa e menduar se do më bëhej profesion.” , tregon blogerja Marina Isufi.  

 “Ka nisur thjesht ndjesia që marr kur udhëtoj, nuk ka patur një pikënisje.”, tha Anxhi Çeliku.

 “Ishte një dëshirë e imja të kaloja pak me vajzat që më mbështesin dhe më pyesin për arredimin.”, shprehet Elona Sekja.

Por çfarë është blogu?

Çfarë bëjnë blogerët?

Blog është shkurtim i fjalëve Web-log, sipas shpjegimit gjuhësor.

Në praktikë blog-u ka formën e një ditari personal online ku çdo njeri ka mundësinë ta hapë si faqe në rrjetet sociale dhe të shkruajë për pasionet e tij.

Këta njerëz emërtohen blogerë.

Temat më të përdorura janë:

- Komentimi i lajmeve dhe medieve
- Analiza ne bazë te eksperiencës personale të produkteve teknologjike
- Gatime në kuzhinë

- Moda e veshjeve
- Këshilla bukurie
- Pasion për fotografinë
- Ditar online i jetës së një personi

E thënë më thjeshtë, Marina, Anxhi dhe Elona kanë faqet e tyre në instagram e në rrjete të tjera sociale. Secila poston foto apo video të shkurtra të pasioneve. Nëse janë interesantë, njerëz nga e gjithë bota vendosin t’i ndjekin. Më shumë ndjekës do të thotë angazhim maksimal nga blogerët.

 “Ideja është se e fillova si amatore, por me kalimin e kohës ti kërkon më shumë.U bëra 4 vite dhe kohët e fundit kam kuptuar çfarë influence kam tek njerëzit", thotë Marina Isufi, blogere.

"Ka nisur  në mënyrë spontane, thjeshtë dëshira për të udhëtuar për të bërë diçka ndryshe në fundjavë dhe më pas kënaqësia që merr nga të udhëtarët u kthye në pasion dhe tani çdo fundjavë, prej 3 vitesh e gjysmë, intensivisht jam gjithmonë në udhëtim", tregon Anxhi Çeliku.

 “Me thënë të drejtën dekoret në Shqipëri kushtojnë, prandaj e kam hapur faqen që t’u tregoj vajzave se me pak para mund të nxjerrin gjëra të bukura, mund ti bëjmë gjërat edhe vetë.", tha Elona Sekja.

Por çfarë bëjnë këto vajza që influencojnë mendimet e shijet e shumë njerëzve të tjerë?

Marina Isufi jep këshilla bukurie. Si të kujdesen gratë dhe vajzat për lëkurën, si të realizojnë make up-in në fytyrë, çfarë të veshin? Këto këshilla i jep edhe në bazë të buxhetit të ndjekëseve të saj. Përveç faqes në instagram ajo ka hapur edhe një kanal në you tube ku i shpjegon me video konkretisht sugjerimet e saj.

Ky angazhim nuk realizohet vetëm brenda mureve të shtëpisë.

 “Pjesa më e vështirë e këtij profesioni është kur filmoj jashtë dhe duhet të mbaj qetësi, pasi jo të gjithë kontribuojnë ashtu si duhet. Në kanal kanë qejf kur shkoj e bëj blerje. Në market nuk të lejojnë të filmosh. ...më njohin dhe nuk më lejojnë të futem me kamer. Këtë nuk e kuptoj pasi ajo është një reklamë, por bizneset nuk e duan pasi na thonë që na vjedhin modelet. Te paktën te veshjet kjo ndodh dhe më penalizon fakti që të filmoj hapur dhe unë e bëj fshehur, te dhoma e provës. Dhe jam bërë person i padëshiruar në disa biznese.”, u shpreh Isufi.

Anxhi Çeliku, është e pasionuar pas udhëtimeve. Ajo eksploron vendet turistike të Shqipërisë e Kosovës. Tregon detaje nga rruga që përshkon dhe sugjeron ku mund të kalohet një fundjavë, apo disa ditë pushime gjatë sezoneve të ndryshëm.

 “Arsyeja kryesore pse ekzistojnë personazhet tip blogera që bëjnë udhëtime, janë pikërisht nga publiku që i ndjek. Unë fillimisht bëja thjeshtë foto të bukura, nuk kisha qëllim në vetvete, thjeshtë merrja kënaqësi nga udhëtimet që bëja. Më pas duke më pyetur gjatë gjithë kohës ku të shkoj këtë fundjavë, apo ku është ky vendi i bukur, ty avash-avash të kthehet në punë, por dhe pasion. Ka shumë njerëz që pyesin, je pikë referimi për një fundjavë, gjë që më gëzon pa fund sepse janë fryt i asaj pune që kam bërë këto 3 vite e gjysmë. Nuk janë thjeshtë foto të bukura, apo një destinacion i bukur, por edhe ai zgjimi në orën 5 të mëngjesit, arritja në destinacion, përshkrimi i bujtinës, mikpritja ushqimi, ngjitja  e malit që shkon deri në 6-7 orë, shkon dhe më pak, por ka raste edhe më shumë, kompleksiteti i rrugës, vështirësitë, moti, të gjitha këto bëjnë atë udhëtimin e fundjavës që njerëzit pyesin, përndryshe as unë nuk do e zgjasja kaq.”, tha Çeliku.  

Elona Sekja është dhënë pas rregullimit të shtëpisë, dekorimit të saj, madje edhe e recetave të ndryshme.

Fillimisht e hapi për treguar kënaqësinë e saj personale për gjithçka bën në jetën e përditshme. Më pas ajo frymëzoi shumë gra e vajza të tjera duke u shndërruar edhe në këshilluesen e tyre.

 “Dhe shpesh ndaj ide se si mund të improvizojmë dekore të veçanta për shtëpinë, jo cdo gjë që kushton duket e bukur apo duhet të jetë e kushtueshme që të duket bukur. Këto kunguj unë i kam blerë para një muaji ndërkohë që duhet të sillja nuancat e vjeshtës. Nuk është e lehtë në Shqipëri që të gjesh dekore të stinëve, pasi këtu ende nuk është trend që të zbukurohet shtëpia sipas stinës. Kështu që këto kunguj i bleva rreth mesit të shtatorit, tani i kam kthyer në kunguj për halloëeen.”, tregon blogerja Elona Sekja.

Kush i ndjek më shumë, femrat apo meshkujt?

 “Më së shumti gratë. Nga djemtë nuk kam pasur asnjë sms as sugjerime dhe as pyetje, që do të thotë se në Shqipëri janë gratë që merren me shtëpitë, bëjnë dhe blerjet për arredimet. Ato kërkojnë kërkesa dhe ide, u përgjigjem me dëshirë, ndërveproj me to, vlerësoj çdo pyetje dhe mendim që marrin prej meje. Me kënaqësi përgjigjem. Është kënaqësi për mua.”, shprehet Sekja.

 “Më së shumti më shkruajnë vajza që këkrojnë këshilla që lidhen me të bukurën. Ose mund të shkojnë në market dhe nuk dinë cilin produkt të marrin dhe më pyesin.”, tregon Isufi.

 “Ka, kjo më ka pëlqyer shumë, kam patur shumë të huaj apo dhe shqiptarë të rritur jashtë dhe kur vijnë për pushime verore apo dimërore, më shkruajnë të kam parë, ku mund të shkoj me familjen, jemi kaq veta. Ka dhe të huaj që nga një postim apo hashtag të shkruajnë që jam në Shqipëri, a mund të bëjmë diçka, të na sugjerosh diçka.  Normalisht i kam kthyer përgjigje, kam bërë dhe udhëtime me ta dhe është diçka shumë e bukur sepse kur je një komunitet, ke çfarë ndan, pasionet, dëshirat, tregime, histori të bukura. Më të interesuar janë djemtë.”, tha Çeliku.

Elona është nënë me kohë të plotë. Ajo i është dedikuar vetëm familjes. Bashkëshorti e ka mbështetur në iniciativën e saj duke e ndihmuar edhe financiarisht pasi siç thotë vetë, dekorimi i shtëpisë kushton.

Ndërsa fëmijët nuk i ka të gjithë kaq bashkëpunues sa bashkëshorti.

"I ka zbukuruar vajza ime e madhe . Pasi dashur padashur kur unë filloj zbukuroj shtëpinë, fëmijët më ndjekin dhe fillojnë dhe bëhen pjesë e dëshirave të mia dhe ndikohen nga idetë e mia.Përvec vajzës së madhe që është 16 vjec, dy të vegjëlit i kam totalisht rrëmujaxhinj të vërtetë. Dekoret apo shtrimet e tavolinave që ju shihni bëhen kur ata janë në kopësht ose shkollë, në të kundërt është e pamundur. Me fëmijë të vegjël është pak e vështirë.”, u shpreh Sekja.

Anxhi ka mbaruar fakultetin e gjuhëve të huaja dhe aktualisht është konsulente shitjesh për makina. Thotë se nuk është ende gati për ta lënë punën që ka . Në një të ardhme do t’i përkushtohet udhëtimeve dhe eksplorimit të vende të reja, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë por edhe në Ballkan dhe Evropë. Këtë ndërmarrje të re nuk mund ta realizojë pa mbështetjen e familjes së saj.

 “Unë nga familja kam patur gjithmonë mbështetje, por duke qenë nga e hëna në të premte në punë dhe atë fundjavë që ti duhet të rrish me familjen me miqtë, unë isha gjithmonë e larguar. Në fillim nuk është pritur mirë, ka qenë gjithmonë ajo që edhe këtë fundjavë do udhëtosh, nuk po rrimë bashkë, këto. Por  më pas duke gjetur edhe një të mesme të artë, duke u kthyer pak më herët, kur kthehesha nga puna rrija më shumë me familjen, më pas dhe kur kam parë frytet që ti ishte pikë referimi, filloi bashkëpunimi me shumë njerëz të ndryshëm. Mendoj që deri tani janë shumë të lumtur, krenarë., i pëlqen pjesa e udhëtimeve. Koha nuk është kurrë e mjaftueshme, sidomos në ditët që ne jetojmë nuk arrin t'i bësh dot të gjitha njëherësh. Nuk e kam akoma atë ekuilibrin që të le punën dhe të vazhdoj vetëm udhëtimet, mendoj se në të ardhmen është një ëndërr.”, ka deklaruar Çeliku.

Marina është diplomuar në degën e psikologjisë dhe shërbimeve sociale. Herë pas herë ajo shndërrohet edhe në këshilluese për ndjekësit e saj. Profesionin e ushtroi për pak kohë por thotë se ndjehet më mirë me produktet e kozmetikës dhe rëndësinë që kanë ato në jetën e femrës. Ky angazhim në rrjetet sociale ka bërë kurioz veçanërisht djalin e Marinës.

 “Djali im duke qenë se më sheh gjithë kohës ka shumë dëshirë të bëhet you tuber dhe më thotë çdo ditë kur do bëjmë video, dhe jemi futur në një konkurrencë të dy se për kë duhet të bëjmë video sot.”, tregon Isufi.

Ndërsa bashkëshortit i drejton publikisht një kërkesë.

 “Në këtë pikë, do doja që bashkëshorti im të dilte në video më shumë pasi nuk pranon dhe miqtë e mi gjithashtu, por kam vënë re që jam bërë pak e varur dhe njerëzit që më rrethojnë nuk duan. Dhe i kërkoj bashkëshortit që të dalë më shumë në video, pasi edhe ndjekësit e pëlqejnë që unë bëj video në shtëpi dhe përtej makeup. Make up është ajo që un bëj dhe pëlqej, por nuk dua ta humbas edhe anën njerëzore, që jetoj, kam raport me familjarët, detyrat e mia si nënë, por uroj që Arjani të bindet dhe të japë kontributin e tij në video.”, ishte kërkesa e saj.

E përbashkëta e të treja blogereve është vështirësia për të gjetur kohën për t’i bërë të gjitha.

 “Pjesa më e vështirë është fakti i kohës, më duhet të bëj shumë gjëra, ti bëj tamam në një kohë të shkurtër. E gjej veten time duke nxituar shumë, dua t'i bërë të gjitha, por më pas them prit se nuk mund t'i bësh të gjitha të gjitha. E vetmja vështirësi që gjej është çështja e kohës, por kur e do shumë atë që bën dhe e ke pasion, sikur shuhen këto gjërat e vogla që dalin rrugës.”, tha Çeliku.

 “Pjesa më e vështirë është menaxhimi i kohës, me rritjen e faqes është shumë e vështirë, mua mëplq tu shkruaj të gjithave, të dalësh të gjesh dekore të reja, por me kalimin e kohës mund të kthehet edhe në profesion, por për momentin arrij ti balancoj disi. Kjo është pjesa më e vështirë që mos të shoh telefonin si gjëja e parë që bëj në mëngjes, por ndonjëherë kjo është e pashmangshme sepse mjafton ta hapësh dhe duken të gjitha njoftim. Mundohem të heq pjesët kryesore që janë të familjes. Por gjëja më e bukur se të jesh you tuber është se mund ti ndërthur të dyja, psh kur kam për të bërë punët e shtëpisë, mund të bëj video.”, tregon Isufi.

Marina ndryshe nga Anxhi dhe Elona ka bashkëpunëtorë në menaxhimin e rrjeteve sociale. Kjo ndodh pas shtimit të numrit të ndjekësve.

Përgjithësisht kështu ndodh edhe në botë.

Në vitin 2021, janë raportuar se ka më shumë se 570 milion blogje në internet, bazuar në aktivitetet e raportuara nga agjencitë që merren me hapjen e  këtyre adresave, siç janë WordPress, Tumblr, Blogger, Wix, Squarespace dhe Medium.

Për të hapur një Blog në një prej adresave të mësipërme, hapi i parë është zgjedhja e një teme. Për çfarë dëshiron të shkruash?  Duhet të zgjidhni edhe një titull për faqen tuaj, ai duhet të jetë i thjeshtë dhe i shkurtër, e të ketë kuptim me temën e zgjedhur.

Hapi i dytë është zgjedhja e shërbimit që dëshiron të përdoresh. Regjistrohuni me një adresë e-maili. Pas regjistrimit do ju kërkojnë të zgjidhni emrin që dëshironi t’i jepni faqes tuaj, ngjyrat dhe formën që dëshironi. Pas kësaj mund të filloni të shkruani artikullin tuaj të parë. Për t’u bërë bloger nuk është e nevojshme të kesh një diplomë në informatikë.

Në listën e blogerëve më të paguar për vitin 2021 qëndron Ariana Huffington me 250 milionë dollarë fitim në vit. Ajo është bashkëthemeluese e 'The Huffington Post'. Ariana u bë e njohur pas vitit 2005 dhe u njoh në mbarë botën kur ajo ndërtoi një perandori mediatike në vitin 2011. Burimi kryesor i të ardhurave të faqes Huffington Post janë reklamat e sponsorizuara përmes banderolave.

Por blogeret tona janë ende shumë të vogla përballë këtij tregu të madh virtual. Fitimet nuk pranojnë t’i deklarojnë por nën zë flitet për pagesë deri në 200 euro për një postim nga një bloger me ndjekës deri në 50 mijë. Dhe 300 deri në 400 euro për një postim nga blogerët me ndjekës deri në 100 mijë.

 “Normalisht një blogere, një pjesë të rrogës e nxjerr nga reklama, duhet të justifikohesh ne familje, unë preferoj që një produkt ta provoj, pastaj vendos për ti bërë publicitet, por ka edhe raste kur produkti më pëlqen dhe e reklamoj falas, pa asnjë pagesë. Pasi dua të tregoj produktet që përdor në përditshmeri. Por ka raste kur një kompani më kontakton dhe nuk e kalon provën, nuk e pranoj , pasi nuk e rekomandoj, pasi nuk pershtatet me flokët apo lekuren time. Nuk bej kompromis, pasi nuk dua qe të shkojë dikush të blejë diçka në emrin tim edhe të thotë pastaj që Marina e bën çdo gjë për lekë. Në shifra nuk mund ta them, për mua mund të jetë e madhe, por për të tjerë e vogël, jam e kënaqur me aq sa kam arritur.”, tha blogerja Isufi.

 “Mbështetjet që kam marrë deri më tani janë të bashkuara për një qëllim, për të promovuar Shqipërinë. Nuk është se kam patur sponsora jashtë kësaj, apo reklama që i shikojmë shabllon kudo që nuk kanë lidhje me personazhin apo atë që bën personazhi. Unë jam munduar të qëndroj shumë strikte, korrekte dhe të kem një etikë te ato që kam nxjerrë. Bashkëpunimet që unë falënderoj shumë kanë qenë bujtinat, vilat, hotelet ku ti në një fundjavë mund të bësh aktivitete të ndryshme outdore, të promovosh dhe eksplorosh natyrën, por edhe të akomodohesh diku. Ti e shikon te unë dhe javën tjetër ndjek të njëjtin shembull, shkon me familjen, mund të mos ngjisësh malin, por ama ti e di se ku do të qëndrosh në këtë zonë që ndoshta për ty është hera e parë që e viziton.”, tha Çeliku.

 “Me thënë të drejtën kur kam hapur faqen nuk prisja asgjë në shkëmbim, kam pasur bashkëpunime të vogla, më shumë suport i imi për bizneset, për nënat e reja për vajzat e reja që bëjnë punë me dorë, ose që kanë hapur biznese të vogla online, ka qenë një bashkëpunim i ndërsjelltë, jo ndonjë fitim kushedi se cfarë...”, tha Sekja.

Bashkëpunimi dhe konkurrenca janë të ndërthurura në punën e një blogeri.

E po ashtu këto faqe janë edhe një mënyrë për t’u ballafaquar me njerëz të ndryshëm që të përgëzojnë ose të kritikojnë.

 “Normalisht si në cdo profesion tjetër ka xhelozira, kam preferuar të shoh punën time. Për kolegët e rinj kam parë vetëm më të mirën dhe nuk jam marrë me vogëlsira. Nuk kam dhe aq shumë kohë që të shikoj cdo lëvizje, apo video të tyre dhe. Jam familjare dhe nuk më jep kohë që të merrem me të tjerët.  Kam qenë motivuese dhe mbështetëse për këdo që e ka kërkuar dhe pse askush nuk më dha mua një dorë kur e nisa.”, tha për Report TV Isufi.

 “Unë mendoj se pa konkurrencë askush nuk do kishte pak atë egon. Te kjo që bëj unë, ku ta gjej të kem konkurrencë sepse është gjëja më e mirë që ato të rinj që mund t'i shikosh në kafe, vjen një moment që të pyesin si është internerari, a bëj dot unë? Ku t'i gjej rrobat për hiking, për të ecur në dëborë? Gëzimi më i madh ky është, nuk ka konkurrencë fare. Unë jam e lumtur që ka edhe 16 apo 17-vjeçar që kërkojnë një motivim për të dalë për të ecur në natyrë, apo kërkojnë destinacione të reja ku mund të ecin me prindërit. Nuk ka konkurrencë fare, unë jam shumë e lumtur dhe nxis të dalin në natyrë.”, u shpreh blogerja Çeliku.

 “Duhet ta quaj veten me fat, por nuk kam marrë asnjë lloj as ngacmim dhe asnjë bullizëm dhe asnjë lloj komenti negativ, e shoh që ka, ekzistojnë në faqe të tjera, por nuk më ka ndodhur mua. Më vjen keq që ndodhin, pasi dikush që nuk të pëlqen largohet, pasi jo të gjithë duhet të na pëlqejnë. Por nuk ka pse ndjell frymën e urrejtjes”, tha Sekja.

Blogimi vazhdon të jetë i rëndësishën në vitin 2021. Rreth 409 milionë përdorues të internetit lexojnë rreth 20 miliardë faqe blogje në muaj. Kjo është arsyeja pse 53% e tregtarëve i japin përparësi blogimit në strategjinë e tyre të marketingut.

Për më tepër, blogimi vazhdon të lulëzojë me një rritje prej 12% në 5 vitet e fundit. Këto fakte i japin mundësinë blogerit ta shohë si punë me kohë të plotë.

 “Pas pandemisë është vështirë të mendosh për të ardhmen, ky është një nga gabimet që njerëzit bëjnë, nuk duhet të mendojmë aq shumë për të ardhmen se harrojmë të sotmen. Mendoj për këtë që kam dhe nuk mendoj shumë për të ardhmen, pasi do filloj të jetoj në kokën time. Prandaj më mirë le të shijoj momentet. Kanali i you tube të shkojë si të shkojë.”, u shpreh Isufi.

 “Për momentin nuk pres asnjë lloj fitimi, ndoshta më vonë, me rritjen e faqes edhe mund të kem bashkëpunime të mirëfillta", tha Sekja.

 “ E ardhmja... udhëtimet, nuk e mendoj se do t'i ndërpres ndonjëherë. Janë gjëja më e bukur, që më mbush me energji të mirë, më largon nga çdo gjë, por dhe më afron me të gjithë. Besoj se do jetë gjithë kohën çantën e hikingf dhe të eksploroj vende që nuk i kam shkelur kurrë më parë, apo vende që i kam vizituar, por që mendoj se ka gjithmonë një gjë të re për të parë.”, tha Çeliku.

Blogeri është shndërruar në trend vitet e fundit. Ekspertët e fushës e shohin si perspektivë shumë të mirë por jo edhe aq të lehtë. Shkalla e suksesit është vetëm 2% - 3%. Shumica e blogerëve dështojnë sepse mendojnë se blogimi është një skemë e pasurimit të shpejtë. Përpara fitimit të të ardhurave, një blogeri i duhet shumë durim dhe mbi të gjitha shumë shumë punë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?