Cristiano Ronaldo është një emër i nxehtë në merkato pavarësisht se fituesi i pesë herë topit të artë u kthye në stërvitje me Juventusin pas spekulimeve për t’u larguar. Së fundmi mediat në Spanjë, por edhe një mik i ngushtë i portugezit ka deklaruar se trajneri i Real Carlo Anchelotti i ka kërkuar me insistim drejtuesve rikthimin e sulmuesit. Italiani e kishte njeriun e besuar Ronaldon në Champions Leaguen e fituar në 2014 dhe mendon se ai është ende të bëjë diferencën pavarësisht moshës 36-vjeçare.
Ndërkohë mediat italiane dhe konkretisht Corriere dello Sport kanë shtangur sot me lajmin se agjenti Jorge Mendes i ka ofruar Ronaldon Manchester City-t. Duke qenë se këta të fundit po dështojnë për Harry Kane, sipas Mendes Ronaldo mund të transferohet te skuadra e Guardiolës për 30 milionë euro, duke qenë se është në vitin e fundit të kontratës me Juventusin.
Sakaq zhvillime ka edhe për Kylian Mbappe, i cili e ka shprehur hapur dëshirën për t’u larguar dhe ka refuzuar ofertat për të rinovuar me Paris SG, pasi Reali e pëlqen shumë. Sipas ‘El Chiringuito’ talenti francez do të zhvillojë një takim këtë mesjavë me presidentin e Paris SG për t’I kërkuar që të largohet që këtë verë. Nga ana tjetër Real Madrid po përpilon ofertën prej 120 milionë eurosh që pritet të jetë e mjaftueshme, duke parë që futbollisti është në vitin e fundit të kontratës.
Lajme për mbylljen e një marrëveshje vijnë nga Firence aty ku Fiorentina ka mbyllur gjithçka me Atleticon për shitjen e sulmuesit premtues Dusan Vlahovic. Sipas ‘Corriere dello Sport’ akordi për serbin është arritur për 70 milionë euro, ndërsa mbetet për t’u dhënë vetëm konfirmimi i presidentit të Fiorentinës Comisso. Në këtë mënyrë Atletico Madrid mposht konkurencën e Interit dhe Tottenham-it, që ishin të interesuar për 21-vjeçarin.