Receta

Të gatuajmë me Zonjën Vjollca: Japrak me gjethe rrushi dhe Supë me pulë e hudhra

13 Maj 2019, 09:51| Përditesimi: 13 Maj 2019, 11:25

  • Share

Receta e parë: Japrak me gjethe rrushi

Përbërësit:

50 gjethe rrushi

1 tufë qepë të njoma

1 qepë e vogël e thatë

1 tufë majdanoz

1 tufë lëpjetë

1 tufë labot

1 tufë kopër

1 tufë nenexhik

2 hudhra të njoma

1 gotë oriz

80 gr vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Fillimisht lajmë të gjitha jeshilllëqet me ujë të bollshëm. Shpëlajmë orizin dhe e lëmë pak në ujë të ngrohtë 20-30 minuta. Vendosim një tenxhere me ujë të valuar dhe ziejmë gjethet e rrushit për 2-3 minuta. Ndërkohë grijmë imët erzat, presim bishtat e qepëve në unaza të holla, po ashtu dhe hudhrat e njoma.

Në një tigan ngrohim pak vaj dhe kaurdisim 1 qepë të thatë dhe të bardhat e qepëve të njoma deri sa qepët të zbuten.

Bishtat e qepëve i vendosim në një tas dhe pasi shtojmë pak kripë, i shtypim lehtë me dorë. Shtojmë barishtet e tjera dhe përsëri i shtypim lehtë me dorë duke shtuar në tas kripë, piper, arrë moskat, 3 lugë gjelle vaj ulliri dhe oriz. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit duke shtuar dhe qepën e kaurdisur. Vendosim në dërrasën e punës 1 gjethe rrushi. Vendosim në fillim të saj (nga ana e bishtit)1 lugë gjelle mbushje. Kthejmë në fillim 2 pjesët anësore të gjethes majtas dhe djathtas. I bashkojmë në qendër dhe më pas e rrotullojmë japrakun.

Në tenxhere vendosim në fund të saj disa gjethe rrushi. Më pas vendosim japrakët njëri pas tjetrit duke mos lënë hapësira bosh. I vendosim me mbylljen e gjethes nga poshtë. I spërkatim me pak vaj ulliri. Vendosim mbi to 3-4 gjethe rrushi e sipër tyre vëmë një pjatë që të peshojë. Më pas hedhim ujë të valuar deri tek rrethi I pjatës. I lëmë të ziejnë në temperaturë fillimisht mesatare dhe më pas ulim pak për 25-30 minuta. I servirim të ngrohta me kos ose supë.

Japrak me gjethe rrushi

Receta e dytë: Supë me pulë dhe hudhra

Përbërësit:

400 gr mish pule

1 lgj gjalp

2 lgj vaj ulliri

5 thelpinj hudhër

2 e 1/2 lgj miell

2 gota qumësht

3 gota lëng pule

Kripë dhe piper i zi

Bukë e thekur

Përgatitja:

Fillimisht vendosim një tenxhere me pak ujë të valojë. Lajmë mishin dhe e vëmë në tenxhere, ku uji të ketë marrë valë. Shtojmë kripë dhe e lëmë të ziejë për 30 minuta. Kullojmë lëngun dhe mishin pasi të ftohet e copëtojmë me dorë në copëza të vogla.

Vendosim tenxheren me pak gjalp, vaj ulliri dhe shtpjmë në të hudhrat e shtypura e të grira në copa. E kaurdisim pak pa i dhënë ngjyrë. Shtojmë miellin dhe e kaurdisim miellin si për beshamel pa I dhënë ngjyrë. E shuajmë me qumësht duke e trazuar vazhdimisht deri sa të trashet si beshamel. Me pas shtojmë lëngun e pulës, copëzat e pulës. I japim një valë dhe më pas e shërbejmë me bukë ose brusketa të thekura. Nëse dëshironi mund të shtojmë në fund gjalp të shkrirë me pak piper të kuq ose thjesht gjalp të shkrirë.

Supë me pulë e hudhra 

b.ha./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?