Receta

Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Pite me kos dhe Biftek viçi të pjekur me kunguj e domate

28 Shkurt 2020, 10:57| Përditesimi: 28 Shkurt 2020, 11:15

  • Share

Pite me kos

Përbërësit:

1 kg miell

600 ml ujë të vakët

Kripë

Vaj

1.2 litër kos

1/2 kokë hudhër

Përgatitja:

Sitim miellin dhe hapim me duar një gropë në mes. Shtojmë kripë, ujë, 1 lugë gjelle miell dhe vazhdojmë ta punojmë më duar derisa të formohet një brumë jo shumë i fortë.

Mbulojmë brumin me pecetë dhe e lëmë të vijë për 40 minuta.

Pasi të kalojë kjo kohë e zbulojmë brumin, vendosim pak miell në tryezën e punës dhe vendosim miellin duke rrotulluar brumin në të dhe duke e ndarë në kulaçë jo shumë të mëdhenj.

I lëmë kulaçët dhe 15 minuta të pushojnë dhe fillojmë ti hapim në madhësi me diametër 20 cm.

Lyejmë petët me vaj dhe i bashkojmë nga 3 kulaçë me njëri tjetrin.

Ka 2 mënyra për ti hapur këto kulaçë.

Mund ti lyejmë me pak vaj dhe ti hapim me duar, ose mund ti lyejmë me miell duke i hapur me petës. Në të dyja rastet, lyejmë mirë me vaj pasi hapet peta dhe me ndihmën e një picete mblidhen role dhe vendosen në tepsi.

Kështu vazhdojmë me të gjithë petët pasi të mbushet tepsia, lyejmë mirë me vaj, i presim në racione dhe i vendosim në furrë në temperaturë 200 gradë Celsius, për 25-30 minuta.

Shtypim hudhrat me pak kripë, i trazojmë me kosin dhe menjëherë sapo tepsia të dalë nga furra, shkëputim copat që i kemi prerë, i lyejmë me kosin me hudhra. Kosin që tepron e hedhim përsipër dhe e vendosim tepsinë në furrën e ngrohur, tashmë të fikur. E lëmë tepsinë në furrë 5 minuta, sa për tu zbutur dhe më pas e nxjerrim nga furra dhe e shërbejmë duke e spërkatur përsëri me hudhra dhe kos.

 

Biftek viçi të pjekur me kunguj dhe domate

Përbërësit:

4 biftekë viçi

2 kunguj të njomë

10 domate qershi

50 gr djathë emental

Majdanoz

Përgatitja:

Pastrojmë biftekët nga lëkura, i shtypim pak me çekiçin e mishit, i marinojmë me kripë dhe piper të  zi, i lyejmë copat e biftekut me vaj me anë të një furçe.

Nxehim tiganin dhe më pas vendosim copat e mishit, i lëmë sa të ndryshojë ngjyrë pjesa e poshtme për 3-4 minuta dhe e kthejmë nga ana tjetër.

Mbi çdo fetë bifteku, pasi i kemi lyer vendosim kunguj të prerë në shkopinj të vegjël, gjysmë domate qershi, mbi domate vendosim pak djathë emental të grirë nga ana e trashë e rendes.

Më pas I vendosim në furrë në temperaturë 180 gradë Celsius, për 5 minuta. E servirim duke e spërkatur me pak majdanoz. Sipas shijes, mund të vendosim dhe 1 dorë rukola.

D.M./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?