Tavë me pllaqi dhe domate të thata
Përbërësit:
400 gr fasule pllaqi
1 qepë
50 gr domate të thata
250 gr pure domate
1 lugë çaji piper i kuq
2 karrota
5-6 thelpinj hudhra
Kripë dhe piper i zi
1 spec pikant
1 lugë kafe sheqer
Rigon, nenexhik, dafinë
Vaj ulliri
Majdanoz
Përgatitja:
Lajmë mirë fasulet dhe i vendosim në një tas. I mbulojmë me ujë dhe i lëmë gjithë natën në ujë.
Vendosim domatet e thata në ujë për t’u zbutur.
Para se të gatuajmë i shpëlajmë përsëri pllaqitë dhe I vendosim përsëri për të zierë, por jo plotësisht.
Në një tigan të thellë ngrohim vajin e ullirit, shtojmë në të qepën dhe e kkaurdisim atë derisa të zbutet, shtojmë karrotat e prera në feta ose gjysmë rrathë, hudhrat e prera në copa, domatet e thata të copëtuara, purenë e domates, specin pikant, I përziejmë të gjitha dhe I lëmë të marrë valë për 5 minuta. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi, 1 lugë kafe sheqer, erëzat me përjashtim të majdanozit. Shtojmë fasulet e kulluara, i përziejmë me një gotë e gjysmë ose 2 gota lëng mishi dhe transferojmë fasulet në një tavë dheu ose qeramike.
Vendosim tavën në furrë në temperaturë 180-190 gradë Celsius, për 25-30 minuta.
Speca me gjizë dhe ajkë
Përbërësit:
10 speca gogozhare
40 gr gjalp ose vaj ulliri
250 gr gjizë pa kripë
150 gr krem kosi
3 thelpinj hudhra
1 lugë gjelle koper të grirë
50 gr arra (opsionale)
Kripë dhe piper i zi
Përgatitja:
Lajmë dhe pastrojmë specat, i thajmë ato dhe i vendosim në furrë për tu pjekur për 20 minuta, në temperaturë 200 gradë Celsius. I vendosim në një tas, i mbulojmë ato për 10 minuta e më pas i qërojmë nga lëkura.
Më pas i presim në shirita.
Shkrijmë gjalpin dhe skuqim specat në gjalp për 5 minuta.
Në një tigan tjetër vendosim përsëri pak vaj ose gjalp, hudhrat, gjizën dhe i kaurdisim për 5 minuta.
Shtojmë kremin e kosit dhe rregullojmë shijen me kripë, piper të zi dhe koper.
Shtojmë në tasin me gjizë specat e skuqur, i përziejmë mirë dhe shtojmë në fund arra të copëtuara.
E shërbejmë të ngrohtë.