Shkëlzen Qordja

Të gëzohesh nga pikëllimi i tjetrit

2 Korrik 2018, 16:22| Përditesimi: 2 Korrik 2018, 16:23

  • Share

Një djalë i ri, punonjës i gardës së Republikës, 31 vjeçar, simpatik dhe pasionant në punën e tij u largua befasisht nga jeta. Më shumë se të gjithë pikëllimin e ndjejnë dhe e mbartin njerëzit e tij të afërt, për të cilët ky hall i madh i duket më i rëndë se sa i gjithë mali i Pikëllimës. Do ta ndjejnë për shumë vite dhe disa prej tyre do e kenë brengën e tyre në të gjithë jetën. U largua njeriu i tyre. Do të thotë se iku njëra nga ëndrrat e tyre.

Djaloshi i larguar nga jeta ka qenë deri në momentin e fundit shoferi i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kjo ka qenë detyra e tij dhe si duket, mes tij dhe vetë familjes së eprorit të tij ishte krijuar një lidhje që më pas sjell dhimbjen e ndarjes.

E gjitha kjo ndodhi në një mjedis pune, në garnizonin e Gardës, brenda makinës së tij dhe, shumë shpejt e gjitha kjo do të jetë një ngjarje, që sado e hidhur, maksimalisht e hidhur, do të ketë edhe zbardhjen e saj.

Do të ketë detyrimisht një kujdes të veçantë në qartësimin e gjithçkaje, edhe pse ende pa nisur ceremonitë mortore, nisën edhe spekulimet, fjalët, dallgët dhe si nuk ndodh kurrë, gëzimi.

Të gëzohesh nga pikëllimi i tjetrit – në mos tjetër, është një ndjenjë makabër, e cila del edhe jashtë arsyes njerëzore. Aq më tepër kur e gjithë ngjarja është ende aq e freskët, plagë aq e madhe, saqë mund ta kapësh me duar.

Të gëzohesh nga pikëllimi i tjetrit, dhe të përdorësh një ngjarje kaq të hidhur, për të vënë dhimbjen nën këmbët e baltosura të dëshirës së pushtetit, ndodh rrallë herë në botë, por, si nuk mund të mendohej, u synua të bëhej një përditshmëri dhe e zakonshme në jetën e politikës shqiptare.

Kam ndodhur në Shqipëri ditën kur ndodhi aksidenti i Tanit të Topit. Disa minuta më vonë pas rrokullimës enigmë të makinës në humnerën aq të shkurtër dhe fatkobe të Lanës, rastisi të kaloja atje dhe ende ishin gjurmët e kalimit të fundit. Ishte një ditë e trishtme për median shqiptare, pasi humbi “kryeministri” i saj, njeriu i reformës, që kishte pasur fatin e keq të jetë edhe opozitar i të gjitha qeverive dhe, përmes mendjes, të ndërtonte perandorinë e tij mediatike.

U ndjeva aq i trishtuar, megjithëse nuk e kisha parë kurrë. Kisha menduar se politika, si do të ishte normale, do e mbante brenda vetes hasmërinë dhe do të nderonte njeriun që po largohej, bashkë me enigmën e tij.

Nuk ndodhi kështu. Të njëjtët, pikërisht të njëjtët e sotëm, që ngritën gëzimin e tyre mbi pikëllimin e humbjes së një djali të ri, ishin edhe asaj kohe që pa dashur të dinë për njerëzoren, normalen, të veçantën, u morën me fakte të ngritura nga gëzimi i pikëllimit, se cilët ishin në makinë, kush e përcolli, çfarë u tha. Një gëzim i lig, edhe kur ndahej një njeri që kishte më shumë forcë dhe bartte më shumë besim se secili prej tyre.

E njëjta gjë edhe tani. Nuk i bën përshtypje largimi nga jeta. As nuk kanë dhimbje. E thonë, ashtu, shpejt e shpejt, një “ngushëllime” për familjarët dhe pastaj fillojnë të ngrenë, qoftë edhe prej rëre, kalanë e spekulimeve, që është një tjetër gëzim i lig.

Hienat zakonisht hienezojnë – bëjnë atë që janë mësuar të bëjnë: ndjellin të keqen edhe kur gjithçka është ende nën enigmën që do të zbardhet.

Do të jetë e qartë një ditë se çfarë ka ndodhur. Edhe sikur të ishte shoferi i shefit të qeverisë, edhe sikur të ishte i presidentit, edhe sikur të ishte shoferi i Kryetarit të Kuvendit, por nuk do të ishte e qartë kurrë nëse do të kishte qenë shoferi i ish presidentit që u bë edhe ish kryeministër dhe, që tani, ende pa u tharë asnjë plagë, kur veprimet sapo kanë filluar, dhe në këtë fillesë janë të gjithë njerëzit e tij të prokurorisë, shpall versionin e tij, si njeriu që mbi plagë nuk hedh qetësues, por kripë dhe helm.

Me sigurinë e atij që e di se si vrasja ka ndodhur dhe si ka ndodhur, kush ishte aty dhe çfarë pritej, pa asnjë ndjenjë ngushëllimi njerëzor, selia blu dhe shefi i vjetër, papritur ”dinë” gjithçka që ka ndodhur, shpallin se është një vrasje mafioze, e kryer me silenciator, dhe… pastaj , çdo gjë lidhet me qëllimin e luftës finale… Fatmir Xhafaj të japë dorëheqjen.

Nuk ka njeri që nuk e di se ende, edhe sot e kësaj dite, pavarësisht pak ndryshimeve, që nuk po sjellin përmbysjen e së keqes, prokuroria është vazhdim i mbjelljes së barit të keq berishian; të gjithë e dinë se, pavarësisht largimit të Visho Ajazit , shërbimi informativ është, në pjesë të ndjeshme, aneks i zyrës së Berishës dhe së fundi, edhe i Bashës; është lehtësisht e ditur se në passkenën e politikës presin grupe të tërë, të cilët, duke ëndërruar kthimin e një kohe që ishte pronë e tyre, e kërkojnë rikthimin edhe me kushtin e tjetërsimit të gjithçkaje.

Të duket sikur kanë thirrur në ndihmë një element fantazmë, si një Babale tjetër, rreth së cilit synohet krijimi i një qerthulli gëzimi për pikëllimin e tjetrit.

Të kishte ndodhur një gjëmë e tillë me shoferin e Bashës, ish ministër, apo Berishës, ish shefi i Qeverisë, asgjë nuk do të ishte e bardhë.

Nuk do të zbardhej, sepse asnjë nga vrasjet e bëra nën pushtetin e tij, nuk janë zbardhur. Edhe kur kanë qenë më masive, më të lidhura me politikës, me të afërta me pronat.

Gjykatësin Konomi, të qëlluar në mesin e njerëzve, në pikë të diellit, e lanë aty, për të dhënë frymën e fundit, duke penguar polici dhe shërbime urgjente, pasi ishte e domosdoshme të ikte nga jeta, sepse jeta e tij ishte e lidhur me prona ku kishin interesa të shumta njerëz të lidhur me pushtetin e kohës, ose, ose, brenda pushtetit të kohës.

Një deputet socialist, Xhindi, u vra në pragun e derës së tij. Nuk ka vrasje më politike dhe mafioze se ajo e një deputeti. Ish Ministri Nishani, i njëjti që më pas u bë president-hallvaxhi, deklaroi se autorët janë identifikuar, dhe se, shumë shpejt, do të jenë para drejtësisë. E di njeri, edhe sot e kësaj dite, se kush qëndron pas vrasjeve.

Në Durrës ishte një shef zbulimi në shërbimin Informativ. E rrëmbyen banditët politikë, e lidhën në një makinë, e vranë, i vunë zjarrin, nga telefoni i tij celular dërguan një mesazh lamtumire , si një vetëvrasje dhe…edhe pasi shërbimet e specializuara perëndimore saktësuan se ishte një vrasje e dhunshme, askush nuk mori mundimin të bëjë një hap para.

Për Kosta Trebickën sajuan një përrallë, që askush nuk e beson as sot e kësaj dite, thirrën edhe një ekspert rrugor për të vërtetuar se makina ishte rrëzuar “vetë” dhe se i ndjeri ishte aksidentuar për vdekje, fill pas skandalit të Gërdecit.

Vetë Gërdeci është plaga e pambyllur ende, sepse askush nuk u dënua, askush nuk kishte qenë “fajtor”, për më tepër fajtor kishin qenë ata që vdiqën. Serverin e qeverisë e shkatërruan natën e vrasjeve, sepse aty ishte krimi.

Përse është ky gëzim i lig mbi një pikëllim.

Opozita ka të drejtën e saj të ngrejë dyshime për një largim nga jeta. Ka të drejtën e saj të vërë në lëvizje ekspertët e thirrur, të vëzhgojë, të hulumtojë, të ketë mendimin e saj dhe, si mund të ndodhë, nëse dyshon apo ka sjellë fakte të reja, edhe të akuzojë.

Por gjithçka ka ditën e saj, ka momentin dhe kohën.

Në fillim respektohet dhimbja dhe bie në heshtje për gjëmën e tjetrit.

Po kujt t’ia thuash?

Pushteti është marramendja e ndjenjave.

Komento

Komente

  • Alal: 05/07/2018 07:21

    I shkreti djale!I heqin qafe si te ishin minj!Keshtu e zhduken dhe Olldashin

    Përgjigju
  • Demi: 04/07/2018 00:52

    FAMILJARET DUHET TA KERKOJNE ME FORCE ATJE KU PUNONTE VRASJEN E TE BIRIT

    Përgjigju
  • Arditi: 02/07/2018 16:58

    Ne Shqiperi ndodh qe politika ngjarje te tilla t'i shfrytezoje per qellimet e saj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?